Policia e Shtetit në Shqipëri ka bërë thirrje për kujdes të shtuar, pas parashikimeve për përkeqësimin e kushteve hidrometeorologjike detare dhe atmosferike.
Sipas njoftimit, nga mesdita e 24 korrikut deri në paraditen e 25 korrikut 2026, mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës dhe Gjirit të Sarandës, si dhe përgjatë vijës bregdetare Dhërmi–Himarë–Sarandë, duhet të shmangin daljet në det për shkak të kushteve të pafavorshme.
Po ashtu, për shkak të përkeqësimit të motit, Policia apelon edhe për kujdes të shtuar në qarkullimin rrugor. Drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve këshillohen të respektojnë kufijtë e shpejtësisë, distancën e sigurisë dhe të shmangin manovrat e rrezikshme, ndërsa këmbësorët të jenë të vëmendshëm gjatë lëvizjes në kushte reshjesh apo lagështie.