“Prishtina llogariti gabimisht - as koktejet e molotovit nuk do t’i trembin serbët”, “Çfarë u sjellin zgjedhjet serbëve në Kosovë dhe Metohi: Nga Adem Jashari dhe Hashim Thaçi te Kurti e mbrapa”...
Këta janë disa nga dhjetëra titujt në mediat shtetërore ruse të mbështetura nga Kremlini, RT Ballkan dhe Sputnik Serbia, të cilët janë publikuar gjatë fushatës parazgjedhore në Kosovë, nga 11 janari deri më 9 shkurt.
Raporti nuk veçoi ndonjë tekst me “përmbajtje manipuluese”, por Radio Evropa e Lirë i analizoi disa prej tyre, transmeton KosovaPress.
Theksi vihet kryesisht te Lista Serbe si “mbrojtëse” e interesave serbe në Kosovë, ndërsa autoritetet kosovare dhe kryeministri aktual, Albin Kurti, lidhen me “persekutimin” e serbëve apo “sulmet” ndaj tyre - ndonëse pa asnjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e tilla.“Në Ballkan, Rusisë i duhet kaos, në mënyrë që ta përdorë atë në negociatat me Perëndimin, në të cilat [presidenti rus, Vladimir] Putin do të pozicionohej si ndërmjetës dhe do t’i thoshte Perëndimit se, nëse nuk dëshiron që të përshkallëzohet kaosi, ai duhet të negociojë me të. Pra, do ta përdorte si mjet pazaresh”, thotë Stradner.
Ajo shton se Moska “nuk ka nevojë të dërgojë tanke dhe avionë” për të destabilizuar rajonin, por se janë të mjaftueshme “operacionet informative dhe sabotimet”.
Shkrimi i titulluar “Prishtina llogariti gabimisht - as koktejet e molotovit nuk do t’i trembin serbët”, i publikuar më 28 janar në ueb-faqen Sputnik Serbia, aludon se autoritetet e Kosovës donin “t’i frikësonin” serbët në Kosovë me kokteje molotovi.
“Nuk duhet të çuditemi nëse në Kosovë dhe Metohi vazhdojnë incidentet, me të cilat Prishtina do të tentojë t'i frikësojë serbët dhe Listën Serbe përpara zgjedhjeve të shkurtit, por le të kujtojë se serbët janë popull sfidues”.
Edhe pse ky është një citat që i atribuohet Lluka Jovanoviqit, profesor në Universitetin e Mitrovicës së Veriut, autori i tekstit nxjerr në plan të parë se si “Prishtina përpiqet t’i frikësojë serbët para zgjedhjeve”, ndërsa në paragrafin pasues mund të lexohet se si persona të panjohur kanë hedhur, në fakt, koktej molotovi në makinën e një aktivisteje të Listës Serbe.
Aty nuk përmendet askund se Policia e Kosovës ka nisur hetime apo se, një ditë më parë, autorë të panjohur i kanë djegur billbordin Lëvizjes Popullore Serbe - gjithashtu pjesëmarrëse në zgjedhjet në Kosovë - që ndodhej para shtëpisë së kandidates së saj për deputete.
Në artikullin e RT Ballkanit “Çfarë u sjellin zgjedhjet serbëve në Kosovë dhe Metohi: Nga Adem Jashari dhe Hashim Thaçi te Kurti e mbrapa”, i botuar më 30 janar, aludohet se lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u përpoq t’i “përdorte” Forcat e Sigurisë së Kosovës në një tubim parazgjedhor në Skenderaj, ndërsa më pas konstatohet se “nuk ka ndryshime në qëndrimin e elitave shqiptare dhe në politikën e Prishtinës ndaj serbëve” dhe se synim ka qenë gjithmonë “përzënia” e serbëve nga Kosova.
Për këto pretendime nuk paraqitet asnjë provë. Nuk përmendet as fakti se forcat serbe kanë kryer krime kundër civilëve shqiptarë, gjatë luftës së viteve 1998/99 në Kosovë, dhe se për to janë gjykuar disa individë para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë.
Gjithashtu, kurrë nuk është gjetur asnjë provë për “trafikim organesh”.“Favorizimi i Listës Serbe”
Ka edhe lajme në të cilat Sputnik Serbia dhe RT Ballkan kanë pasqyruar ekskluzivisht fushatën e Listës Serbe, si dhe kanë transmetuar deklarata të zyrtarëve të kësaj partie, duke thënë se vetëm Lista Serbe sjell unitet për serbët në Kosovë, se ajo lufton për mbijetesën e serbëve në kushte të pamundura e të ngjashme.
Gjithashtu, nuk përmendet askund se deputetët e Listës Serbe kanë qenë të ekspozuar ndaj kritikave nga opinioni dhe kundërshtarët politikë, sepse, në dy vjetët e fundit, i kanë bojkotuar seancat e Kuvendit të Kosovës, duke u paraqitur për nënshkrim çdo gjashtë muaj, vetëm për të ruajtur mandatet dhe pagat.
Situata ka kulmuar në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve, i udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ka sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë dhe ka vrarë një polic.
Hibrid.info për “teoritë konspirative” të mediave ruse
Një shembull është lajmi i Sputnik-ut më 21 janar, në të cilin përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, pretendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka ndërmend t’i falsifikojë zgjedhjet në Kosovë në dëm të Listës Serbe, si dhe të vendosë në vendet parlamentare kukulla besnike të Prishtinës”.
Për këto pretendime nuk u paraqit asnjë provë.
Hibrid.info ka nxjerrë në pah edhe një tekst në Sputnik, në të cilin drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pretendon se Kurti synon të krijojë një Kosovë etnikisht të pastër dhe të formojë një “Shqipëri të madhe”.
As për këtë pretendim nuk u paraqit ndonjë provë.RT dhe Sputnik janë nën sanksione në Kosovë, në përputhje me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian, që u ndërmor pasi Rusia filloi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Kështu që kanalet televizive të këtyre mediave nuk janë të disponueshme në operatorët kabllorë, përfshirë ata në zonat me shumicë serbe në Kosovë, të cilët kryesisht mbulohen nga kompania MTS d.o.o - filial i kompanisë serbe “Telekom”. Kjo kompani doli nga Marrëveshja e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe është e regjistruar sipas ligjeve të Kosovës.
Megjithatë, më 18 shkurt, faqja e internetit Sputnik Serbia ishte e qasshme përmes internetit të të gjithë këtyre operatorëve, ndërsa RT Ballkan mbetej i bllokuar.
Më herët, MTS-ja ka thënë se kompania i përmbahet listës për bllokim që i është dërguar nga Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare i Kosovës (ARKEP).
“Edhe pse i jemi përmbajtur rreptësisht listës së ofruar nga ARKEP-i, ne e pranojmë mundësinë e daljes së portaleve të reja që nuk janë pjesë e direktivës fillestare”, ka thënë MTS-ja.
“Kjo varet nga masat e zbatuara nga autoritetet vendore, si dhe përdorimi i rrjeteve private virtuale (VPN) ose i serverëve ‘proxy’, të cilët mund t’i anashkalojnë këto kufizime. Mungesa e domeneve të internetit/kodit të vendit (ccTLD) gjithashtu krijon sfida shtesë në këtë proces”, thotë ARKEP.
Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve thekson në raportin e tij se shtrirja e RT Ballkanit dhe Sputnik-ut është e kufizuar edhe në mediat sociale, për faktin se ato janë të pranishme vetëm në platformën X, ku postimet e tyre rrallë arrijnë më shumë se 2.000 përdorues.
Ivana Stradner, bashkëpunëtore në Fondacionin joqeveritar për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington, thotë se dëgjon shpesh deklarata se RT dhe Sputnik nuk kanë ndikim në Ballkan, sepse nuk lexohen dhe nuk kanë mjaftueshëm “pëlqime” dhe ndërveprime në rrjetet sociale.
Organizata Reporterët pa Kufij, në raportin e vitit të kaluar me titull “Nga Rusia në Serbi: Si RT-ja përhap propagandën e Kremlinit në Ballkan, pavarësisht sanksioneve të BE-së", theksoi se përmbajtja e RT Ballkanit citohet në mediat në Serbi, përfshirë edhe në transmetuesin publik - Radio Televizionin e Serbisë.
“RT citohet si një burim i besueshëm i lajmeve në lidhje me Rusinë dhe, si rezultat, RT Ballkan funksionon si agjenci shtetërore e lajmeve, e ngjashme me TASS-in e Rusisë”, thuhej në raport.
Qytetarë të Mitrovicës së Veriut, të anketuar nga REL, thonë se dikur ndiqnin RT Ballkanin dhe Sputnik-un në internet, por se nuk janë më të disponueshëm.
“Sidomos në këto momente, marrë parasysh tablonë globale. Të dyja palët bëjnë propagandë”, thotë ai.
Aleksandri thotë se kur ka mundur, e ka ndjekur Sputnik-un në Serbi. Sipas tij, është jodemokratike që të privohet qasja në të.
Stefani thotë se derisa nuk kanë qenë të ndaluar, i ka hapur herë pas here Sputnik-un dhe dhe RT Ballkanin, por se nuk i ka ndjekur rregullisht.
“Gjithmonë, çdo gjë shikoj me një grimë dyshimi, por varet edhe nga lajmet... Do t’i bëja kërkimet e mia në media të tjera dhe ndoshta më pas do të dilja në një përfundim”, thotë ai.
Në raportin e vitit 2024, organizata Reporterët pa Kufij vlerësoi se njoftimi në rrjetin X i kryeredaktores së RT-së, Margarita Simonyan, la të kuptohej motivin e medias për t'u zgjeruar edhe në Serbi.
“E kemi nisur RT-në në Ballkan. Sepse Kosova është Serbi”, tha në njoftimin pas hapjes së RT Ballkanit, më 15 nëntor, 2022.“Përgjigjja provokuese, politike tregon se si RT-ja pozicionohet si antitezë e një organizate që mbron median e pavarur. RT-ja, gjithashtu, nuk dëshiron të zbulojë informacione në lidhje me misionin ose marrëdhëniet e saj me qeverinë, të cilat mediat e pavarura - siç pretendon se është ky medium rus - duhet të jenë në gjendje t’i ofrojnë”, thanë në raportin e tyre Reporterët pa Kufij.a
Si të ndalohet ndikimi i Rusisë përmes mediave?
Stradner shton se ndikimi i Rusisë nuk do të bjerë, megjithëse “shumëkujt në Perëndim i pëlqen të fantazojë për këtë”.
Për të parandaluar dezinformimin nga Rusia, Perëndimi duhet të dërgojë ekipe kundër luftës hibride, thotë ajo, duke shtuar se Moska nuk i ndjek rregullat që ekzistojnë në hapësirën e informacionit, “sepse nuk është demokraci”.
Në këtë kontekst, ajo thekson se vendet perëndimore duhet të investojnë më shumë në edukimin e të rinjve dhe në mediat e lira, si dhe t’i ndëshkojnë liderët dhe subjektet në rajon që kontrollojnë lirinë e mediave dhe përhapin dezinformata.