Shumë objekte të vjetra dhe të braktisura në Prishtinë paraqesin rrezik të madh për qytetarët. Strukturat e dëmtuara, muret e plasaritura dhe kulmet e rrënuara mbeten të ekspozuara ndaj kushteve atmosferike dhe degradimit të kohës. Ndërkohë që qyteti vazhdon të zgjerohet, këto ndërtesa të lëna pas dore qëndrojnë si rreziqe të mundshme për kalimtarët dhe banorët përreth.
Ngjarja tragjike që ndodhi së fundmi në Jabllanicë të Gjakovës, ku tre të mitur humbën jetën si pasojë e shembjes së një shtëpie të vjetër të pabanueshme, ka ngritur shqetësime të mëdha edhe për situatën në Prishtinë. Institucionet janë përballur me kërkesa për të vepruar më shpejtë dhe për të shmangur rreziqe të ngjashme. Komuna e Prishtinës veçse ka filluar pranimin e kërkesave për rrethimin e disa objekteve.
"Në dy vitet e fundit kemi bërë evidentime dhe u bëjmë rregullisht të gjitha objekteve që janë me rrezikshmëri të lartë. Raportin e fundit e kemi publikuar në dhjetor të vitit të kaluar ku janë evidentuar në baza të rregullta këto objekte. Në këtë raportin e fundit janë 61 shtëpi, 11 mure dhe një lokal që paraqesin problem permanent dhe paraqesin rrezikshmëri. Çështje tjetër që duhet të theksohet është që problematika qëndron se i kemi tri kategori të objekteve që janë në kryeqytet. Kategoria e parë janë objektet private të cilat janë me pronar dhe pa pronar dhe ndoshta edhe nuk gjendet pronari. Kategoria e dytë janë objektet që janë nën mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe kategoria e tretë objektet që janë në pronësi të AKP-së (Agjencia Kosovare e Privatizimit)", ka deklaruar Fushtica.
Mungesa e një mekanizmi të qartë dhe të shpejtë për zgjidhjen e këtyre rasteve e vështirëson situatën, ndërkohë që rreziku mbetet i pranishëm për qytetarët. Komuna ka bërë thirrje që qytetarët të ndihmojnë në identifikimin e objekteve të rrezikshme duke i raportuar ato te institucionet përgjegjëse.
Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica tregon se pas rastit të së dielës në Jabllanicë, janë lajmëruar disa qytetarë që të inspektohen shtëpitë e tyre të vjetra, që tragjedi të tilla të mos përsëriten më kurrë.