Hoti: Presim nga Kallas ta ketë në prioritet çështjen e personave të pagjetur
Intervista
Lexohet për: 3 min.
3 orë më parë
Linku u kopjua
Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti thotë se qëllimi i letrës dërguar përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme të BE-së, Kaja Kallas është presioni pozitiv që çështja e personave të zhdukur të merret më me prioritet nga Bashkimi Evropian. Kjo letër po konsiderohet si informacione për kryediplomaten evropiane për problemet aktuale për çështjen e të pagjeturve.
Qasja në territorin serb për hapjen e 11 varrezave masive, hapja e arkivave të strukturave ushtarake e policore serbe, janë dy nga kërkesat që përmes kësaj letre i janë adresuar kryediplomates të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.
“Janë mbi 11 varreza masive dhe kur them kështu nuk them se po dyshoj, por them se Serbia e ka pranuar vetë që ekzistojnë në Serbi dhe ne po kërkojmë informata dhe hapjen e këtyre varrezave masive. Qasja në territor të Serbisë përmes Bashkimit Evropian, në këtë rast bëhet më urgjente dhe më e lehtë ...të përgjigjet Serbia për krimet që i ka bërë përmes Bashkimit Evropian nuk ka të bëjë më vetëm me mua, por përmes drejtësisë dhe më në fund të vihet drejtësia për këto familje të personave të zhdukur. Për me ia shtua pikave të rëndësishme të kësaj letre që veç i thash është edhe një pikë tjetër që nuk ka qenë shumë e theksuar në të kaluarën që ne jemi të interesuar për arkivat e klasifikuara të ushtrisë serbe, sepse ka bërë krime në Kosovë me urdhra, të Policisë, por duhet me theksua se në Kosovë nuk kanë bërë krime vetëm ushtria, kanë bërë krime edhe qytetarët lokal serb të urdhëruar nga regjimi i atëhershëm i Millosheviqit”, u shpreh Hoti.
Kryesuesi i këtij komisioni qeveritar tha se kjo letër është në vazhdën e përpjekjeve të Kosovës për t’i bërë presion pozitiv Bashkimit Evropian që çështja e personave të pagjetur të merret më me prioritet.
Sipas tij, zgjidhja kryesore është kushtëzimi i Serbisë dhe jo presioni.
Hoti ka renditur dy arsye se pse zgjodhën ditën e pavarësisë së Kosovës për t’ia përcjell këtë letër kryediplomates evropiane, Kaja Kallas.
Nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur presin që përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme të BE-së, Kaja Kallas brenda dy apo tri javës të ftoj takimin e radhës të Komisionit të Përbashkët të Kosovës dhe të Serbisë për të pagjeturit.
Kryesuesi i këtij Komisioni, Andin Hoti shprehet pesimist për qasjen e Serbisë për vazhdimësinë e këtyre takimeve.
Më 15 janar të këtij viti ishte planifikuar një takimi i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe të Serbisë për të pagjeturit, mirëpo ai ka dështuar për shkak të refuzimit të Serbisë për të marrë pjesë, si shenjë proteste pas një aksioni të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të Serbisë.