Në Shqipëri riaktivizimi i industrisë ushtarake shihet nga autoritetet zyrtare në funksion të ndryshimeve në mjedisin e sigurisë në botë. Pushtimi i Ukrainës 3 vjet më parë nga Rusia, solli një këndvështrim të ri sipas tyre, mbi politikat e mbrojtjes të vendeve të NATO-s. Shqipëria trashëgoi nga regjimi komunist një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh për të cilat u deshën shumë vite që të asgjësohen, ndërsa uzinat e prodhimit të tyre pushuan se ekzistuari pas viteve 90’. Zyrtarët thonë se rijetësimi i kësaj industrie do të sjellë fillimisht plotësimin e nevojave të ushtrisë shqiptare me armë dhe municion dhe në një fazë të dytë eksportin e tyre.
Rijetësimi i industrisë ushtarake, u përkufizua nga Kryeminstri Edi Rama, në krah të komisionerit për zgjerimin në BE, në shkurt të vitit 2024 pas vizitës së presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenski në Tiranë. Disa muaj më vonë qeveria dhe parlamenti miratuan kornizën ligjore për ushtrimin e aktivitetit të prodhimit të industrisë ushtarake, për nevoja të forcave të armatosura, në mbështetje të Aleancës, por edhe për qëllime fitimi në të ardhmen, siç argumentojnë autoritetet zyrtare. Drejtori i Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës se nevojat e forcave të armatosura janë kryesisht për armatime dhe municione ndërsa tregon se përse po ndodh tani ky proces.
Industria ushtarake deri në vitin 1990 bazohej në tre uzina, në kombinatin mekanik të Policanit që prodhonte municione, dhe Uzinën e Gramshit dhe Mjekësit që prodhonin përkatësisht armë dhe lëndë plasëse. Gjatë regjimit komunist, militarizimi ishte prioritet i udhëheqjes së asaj kohe.
Sasia e municioneve dhe armatimeve sipas ekspertëve arriti shifra të larta për një vend të vogël si Shqipëria, dhe në vitet 90’ pas rënies së këtij regjimi vetëm municione përllogariteshin afro 298 mijë ton. Dhe pikërisht në këtë kohë edhe me rolin e ri të ushtrisë shqiptare pas transformimeve demokratike dhe angazhimin e saj me anëtarësimin në NATO, kjo industri pushoi së funksionuari. Asgjësimi i armëve dhe muncioneve tani ishte fokusi kryesor. Demontimi ka nisur në vitet 2000, por sipas zyrtarëve, ky proces u fut në korniza të plota ligjore në vitin 2009, një vit pasi në një fabrikë të çmontimit të municioneve në fshatin Gërdec, 16 km larg kryeqytetit nga një shpërthim humbën jetën 26 qytetarë dhe qindra të tjerë u plagosën, shkruan VOA.Paketa e re ligjore për prodhimin e armëve dhe municioneve rregullon ushtrimin e këtij aktiviteti edhe për investitorë të huaj, të cilët mund të krijojnë ose jo partneritet në prodhim me shoqërinë e sapokrijuar shtetërore KAYO, për një gamë të gjerë mallrash ushtarakë, që nga municionet e kalibreve të ndryshme dhe deri te teknologjitë e përparuara. Buxheti për mbrojtjen sipas angazhimeve në NATO arrin 2.01% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.