Një grup prej 22 drejtuesish e pjesëtarësh të organizatave të shoqërisë civile i kanë drejtuar një letër presidentes së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, përmes të cilës adresohen një varg shqetësimesh lidhur me procesin gjyqësor në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së. Në letër listohen edhe disa kërkesa.
Në fillim të letrës sqarohet se ajo s’ka për qëllim të paragjykojë vendimin e Speciales, por për të theksuar se mënyra e trajtimit të procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së do të ketë jo vetëm një rezultat juridik, por edhe ndikim në besimin publik, raportet ndëretnike dhe në besimin e Kosovës në drejtësinë ndërkombëtare.
“Ky nuk është reagimi ynë i parë publik ndaj punës së Dhomave të Specializuara. Në gusht të vitit 2025, disa prej nesh reaguan publikisht ndaj pranimit të dokumenteve që buronin nga institucionet shtetërore serbe. Ne argumentuam atëherë se materiali i tillë kërkonte një nivel më të lartë shqyrtimi, duke pasur parasysh burimin, kontekstin historik dhe rolin e institucioneve shtetërore serbe gjatë viteve 1990. Ky shqetësim nuk është zhdukur. Ai është bërë pjesë e një shqetësimi më të gjerë për drejtësinë, transparencën dhe besimin publik në proces”, thuhet në letër, shkruan Gazeta Express.
Në këtë letër drejtuar Trendafiloves janë listuar shtatë shqetësime kryesore lidhur me procesin gjyqësor. Në fillim përmendet raporti i britanikëve në të cilin janë listuar një varg shqetësimesh dhe qasja e Gjykatës Speciale ndaj tij.Çështja e mbajtjes në paraburgim prej nëntorit 2020 është shqetësimi i dytë që është listuar në këtë letër ndaj Trendafiloves. Kohëzgjatja e paraburgimit, thuhet në letër, ka krijuar perceptimin se paraburgimi po shndërrohet në ndëshkim para vendimit gjyqësor.
“Së dyti, paraburgimi i zgjatur është bërë një nga çështjet më të dëmshme për besimin publik. Të akuzuarit në rastin Thaçi dhe të tjerët u transferuan në objektet e paraburgimit të DhSK-së në Hagë më 4 dhe 5 nëntor 2020. Ata kanë kaluar më shumë se pesë vjet e gjysmë në paraburgim pa një vendim të shkallës së parë. Ne e kuptojmë se vendimet për paraburgimin merren nga gjyqtarët dhe se rreziqet vlerësohen periodikisht. Por nga perspektiva e shumë njerëzve në Kosovë, një kohëzgjatje e tillë, e kombinuar me refuzimet e përsëritura të lirimit të përkohshëm, ka krijuar perceptimin se paraburgimi po shndërrohet në ndëshkim para vendimit gjyqësor”, thuhet tutje në letër.
Letra liston si shqetësim të katërt edhe çështjen e përgjegjësisë kolektive dhe cilësimin e Prokurorisë Speciale për ish-krerët e UÇK-së si ndërmarrje e përbashkët kriminale.
Në letër përmenden edhe gjyqet e zhvilluara nga Tribunali i Hagës, UNMIK-u, EULEX-i e gjykata vendore ku subjekt kanë qenë ish-anëtarë të UÇK-së. Narrativa për ta kriminalizuar luftën e UÇK-së, në letër thuhet se vetëm do ta dobësonte drejtësinë dhe do të thellonte ndjenjat e kosovarëve se procesi po tenton etiketim kolektiv.
“Pikëpamja jonë për këtë është e qartë, ashtu siç është edhe për shumicën absolute të qytetarëve të Kosovës. Ne besojmë se UÇK-ja zhvilloi një luftë të drejtë dhe mbrojtëse për lirinë e Kosovës kundër një aparati shtetëror shtypës dhe të dhunshëm të udhëhequr nga Slobodan Millosheviçi. Ne gjithashtu riafirmojmë se kudo që janë kryer krime të dyshuara, qoftë kundër civilëve, kundërshtarëve politikë apo anëtarëve të komuniteteve pakicë, këto krime meritojnë drejtësi. Por kjo nuk është hera e parë që krime të tilla janë trajtuar. ICTY, UNMIK, EULEX, gjykatat e Kosovës dhe tani Dhomat e Specializuara kanë trajtuar të gjitha rastet e krimeve të luftës që lidhen me Kosovën, duke përfshirë rastet që përfshijnë ish-anëtarë të UÇK-së.Ajo që është thellësisht shqetësuese është kalimi në një narrativë që rrezikon ta paraqesë luftën e Kosovës për çlirim nga shtypja serbe si kriminale në natyrë. Kjo nuk do ta forconte drejtësinë. Do të thellonte ndjesinë midis shumë kosovarëve se ky proces është zhvendosur nga përgjegjësia individuale drejt etiketës kolektive”.
“Së pesti, Dhomat e Specializuara nuk kanë ndërtuar besimin publik të nevojshëm. Aktivitetet e tyre informuese kanë qenë tepër të kufizuara, tepër teknike dhe të largëta nga shqetësimet e përditshme të qytetarëve të Kosovës. Si rezultat, shumë shqiptarë të Kosovës e shohin Gjykatën si të njëanshme, shumë serbë të Kosovës mund të shohin çdo lirim nga akuzat si dështim, ndërsa viktimat nga komunitete të ndryshme ende mund të ndihen të papërfaqësuara”.
Në letër ngritët shqetësim për ndikimin dhe pasojat që mund të ketë një vendim i Speciales në siguri dhe politikë.
Anëtarët e shoqërisë civile të nënshkruar në letër gjithashtu i kujtojnë Trendafiloves për përdorimin që Rusia e Serbia mund t’ia bëjnë vendimit, për të delegjitimuar narrativën e çlirimit të Kosovës dhe argumentin për shtetësi.
“Mandati i Gjykatës shtrihet deri në shtator 1999, pas vendosjes së KFOR-it dhe UNMIK-ut. Mbajtja përgjegjëse e figurave të UÇK-së për ngjarje që ndodhën nën administrimin ndërkombëtar, ndërkohë që aktorët ndërkombëtarë të asaj periudhe nuk i nënshtrohen një shqyrtimi të ngjashëm, perceptohet nga shumë qytetarë të Kosovës si selektive”, thuhet në shkresë.
Pas listimit të shtatë shqetësimeve, në letër janë vendosur edhe një numër kërkesash për kryetaren e Speciales.
Të aplikojnë dhe të shpjegojnë publikisht një standard të shtuar shqyrtimi për provat e kontestuara që burojnë nga institucionet shtetërore serbe të viteve 1990.
Të mundësojnë monitorim të pavarur dhe afatgjatë të procesit gjyqësor dhe trashëgimisë së tij.
Të inkurajojnë misionet diplomatike dhe shtetet financuese të mbështesin transparencën, monitorimin e pavarur dhe komunikimin e përgjegjshëm publik”, thuhet në letër.
“Krimet e pretenduara kundër civilëve dhe krimet e luftës, kudo që janë kryer dhe nga kushdo që janë kryer, meritojnë drejtësi dhe llogaridhënie. Por llogaridhënia duhet të realizohet përmes një procesi që njerëzit mund ta njohin si të drejtë dhe të paanshëm. Një proces që perceptohet si selektiv, i largët dhe politikisht i motivuar nuk mund të riparojë besimin dhe as të mbështesë pajtimin. Drejtësia dhe shtetësia e Kosovës nuk janë qëllime kundërshtuese. Ato duhet ta forcojnë njëra-tjetrën. Kosova i pranoi Dhomat e Specializuara sepse iu tha se drejtësia, llogaridhënia dhe legjitimiteti ndërkombëtar do të ecnin paralelisht. Tani Gjykata dhe shtetet që e mbështesin atë kanë përgjegjësinë të dëshmojnë se ky nuk ishte një premtim bosh”, thuhet në letër.