Në arën prej 140 hektarësh të fermerit Malësor Sejdiu në Podujevë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural shënoi fillimin e fushatës së korrje-shirjeve, ku u tha se sivjet pritet një nga sezonet më të suksesshme të prodhimit të grurit në Kosovë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi fermën e Malësor Sejdiut si model të zhvillimit të bujqësisë moderne, duke theksuar se rezultatet e arritura janë fryt i investimeve, planifikimit dhe mbështetjes institucionale.
“Është model që dëshmon se me investime serioze, planifikim afatgjatë dhe me mbështetje institucionale, bujqësia jonë po merr një drejtim gjithnjë e më modern dhe më konkurrues. Bazuar në gjendjen në terren dhe kushtet klimatike, presim rendimente mesatare prej 4 deri në 5 ton për hektar, ndërsa procesi i korrjes pritet të përfundojë deri në fund të korrikut ose nëse do të ketë reshje, mund të shkojë edhe në javën e parë të gushtit në vise të caktuara të Kosovës. Por, këtu që ndodhemi me Malësorin morëm vesh se rendimenti mesatar për hektar këtu është rreth 6 ton. Që do të thotë se është mbi mesataren e nivelit të Kosovës. Rezultatet e vitit të kaluar na japin besim. Vitin e kaluar janë korrur mbi 78 mijë hektarë, është arritur rendimenti mesatar prej 4.8 ton për hektar, dhe janë prodhuar afër 380 mijë ton grurë. Këto rezultate dëshmojnë potencialin e madh të bujqësisë sonë, por edhe punën e palodhur të fermerëve tanë”, tha ai.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja tha se është momenti kur do të korrin mundin e fermerëve tanë, por edhe përpjekjet e të përbashkëta. Sipas tij, Kosova e ka siguruar bukën e vet.
Kurse, i zoti i kësaj are, Malësor Sejdiu vlerësoi se skema e re e subvencioneve është stimuluese për prodhuesit që arrijnë rendimente më të larta.