Pesë serbë të arrestuar për masakrën e Reçakut, Prokuroria dhe Policia japin detaje
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Pesë serbë të arrestuar për masakrën e Reçakut, Prokuroria dhe Policia japin detaje
prokuroria
14/06/2026 - 13:54
Linku u kopjua

Pesë persona janë arrestuar në kuadër të një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, në rastin e njohur si “Reçaku II”, që lidhet me hetimet për krime lufte.

Në konferencën për media të mbajtur pas operacionit, prokurori special Ilir Morina bëri të ditur se arrestimet janë kryer në bazë të urdhrit të gjykatës.

“Kemi ekzekutuar urdhrin e gjykatës, me ç’rast kemi arrestuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në masakrën e Reçakut”, deklaroi Morina.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës, Bashkim Spahiu, tha se të arrestuarit janë serbë, shtetas të Kosovës, ndërsa një person tjetër i dyshuar nuk ka arritur të arrestohet.

Spahiu bëri të ditur se gjatë operacionit janë siguruar dëshmi dhe materiale që ndërlidhen me dyshimet për krime lufte.

“Gjatë këtij operacioni hetuesit kanë arritur të gjejnë një mori provash që ne konsiderojmë se janë relevante për rastin”, tha ai.

Prokurori Morina theksoi se personat e arrestuar dyshohet se kanë qenë pjesë e njësive të drejtuara nga Goran Radosavljeviq gjatë kohës së luftës në Kosovë.

“Këta të arrestuar sot janë pjesëtarë të atyre njësive”, deklaroi Morina, duke shtuar se rëndësi ka përfshirja e tyre në ngjarjet që po hetohen.

Ai po ashtu nënvizoi se drejtësia mund të vihet në vend vetëm kur ekzistojnë prova të mjaftueshme, duke shtuar se deri në vitin 2020 nuk kishte pasur hetime serioze lidhur me masakrën e Reçakut.

Lidhur me identifikimin e të dyshuarve, Morina bëri të ditur se hetuesit kanë përdorur materiale të ndryshme, përfshirë edhe incizime televizive.

“Në procedurën e identifikimit, përtej tjerave, janë përdorur edhe dy incizime, njëri i publikuar nga RTK dhe tjetri nga Radio Televizioni i Serbisë”, tha ai.

Ata kanë bërë të ditur se hetimet për rastin “Reçaku II” do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026