Rrëfimet për dhunimet gjatë luftës nuk kanë skadim afati
Lajme
Lexohet për: 9 min.
Dëgjoje me zë...
Rrëfimet për dhunimet gjatë luftës nuk kanë skadim afati
Heroinat
19/03/2026 - 08:49
Linku u kopjua

“Për mua kurrë më gëzim nuk ka pasur, prej atij momenti...”

E ulur në një dhomë të vogël, shikon në drejtim të dritares. Rrezet që depërtojnë pak nga fundi i roletave pothuajse të mbyllura, i ngjajnë një dite pranvereje të majit të vitit 1999.

Kohë e gjatë ka kaluar prej atëherë, por kujtimet e dhimbjet në trup që mezi i duron e përcjellin që njëzet e shtatë vjet. Kudo me vete i duket sikur e ndjek një hije, ajo e frikës se të gjithë përreth e dinë se çfarë ka përjetuar.

***

Në dysheme, njërën këmbë e lëviz si akrepat e orës, derisa duart i mban të ngjitura fort mes vete... Kështu si rrallë herë, për disa minuta, e me pak ndërprerje e rrëfen jetën e saj para dhe pas luftës.

Kjo është një nënë nga Kosova, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nga forcat policore e ushtarake serbe.

Lumja, (emër i ndryshuar me qëllim të mos identifikimit), për net të tëra ka qëndruar zgjuar nga makthi.

“Nuk kam qenë vetja, nuk kam mundur t’i jap vullnet vetës, kur mu kujtonin thikat e tyre se si na i kanë shqyrë këmbët tona, nuk mundem”...

Në vendin ku ajo përjetoi tmerrin, ka pasur edhe shumë gra të tjera të rrethinës të cilat me forcë u ndanë nga burrat, fëmijët e të moshuarit nga kolona.

“Kam dëgjuar zëra, dhomat kanë qenë të vogla, disa kreveta të hekurit, në tokë na përplasnin prej pasdite deri në gjysmë të nates kemi qenë në duar të tyre [forcave policore serbe]”, rrëfen ajo.

Ajo ishte disa muajshe shtatzënë kur përjetoi këtë tmerr nga forcat serbe, gjë që la pasoja të rënda psikologjike tek ajo.

“Kam dashur ta mbys edhe vajzën disa herë, sepse kam qenë shtatzanë, dhe më shkonte në mendje që mund të jetë fëmijë i dhunimit nga serbët. Sa herë më kujtohet rasti i saj, hiç nuk mund të mendoj gjatë andej”...

Përveç për vetën, ajo bart edhe një dhimbje tjetër - atë për djalin e saj. Asnjëherë nuk e ka diskutuar me të, por nga familjarët kishte kuptuar se edhe ai ishte keqtrajtuar seksualisht nga serbët në mënyrën më mizore.

“Po e harroj vetën, kur po më kujtohet djali. Sa herë më largohet them me vetën ‘Çfarë është duke menduar?”, rrëfen ajo mes lotësh.

Të dy pothuajse kishin qëndruar të izoluar, pa i trajtuar traumat e luftës. Ani se shumë vite pas luftës, Lumja, për dallim nga djali, ka filluar të marrë shërbime në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT). Pas një kohe, nga stafi aty ishte bindur edhe që të aplikojë për statusin e viktimës së dhunës seksuale. Kjo si duket i ka ndihmuar paksa...

“Nuk kam shkuar në komision e as nuk kam ardhur në qendër për një pension, veç me hjek lëmshin prej këtu që mu pat lidhur. Kisha nevojë për ndihmë psikologjike e për barna”, rrëfen ajo.

Lumja ka bërë përpjekje të mëdha që, përmes një familjari, ta bindë djalin të trajtohet.

Megjithatë, ai ende nuk është i gatshëm t’i qaset Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale

Trauma si këto vështirë shërohen, thotë psikologia Selvi Izeti-Çarkaxhiu,  që çdo ditë dëgjon me dhjetëra rrëfime të të mbijetuarve.

“Në baza javore kemi të mbijetuar të rinj që nuk e kanë shpalosur asnjëherë dhimbjen edhe vijnë për ta ndarë me neve për herë të parë me neve. Dikush e ka të vështirë të ballafaqohet me dhimbjen, e ka të vështirë që të ballafaqohet me emocionet e dhimbshme. Te dikush rrethanat familjare nuk janë pjekur ende që ai i mbijetuar të kërkoj ndihmë. Ka të tillë që bashkëshorti nuk e lejon, ka të tillë që thonë ‘se nuk kemi ardhur më herët të kërkojmë shërbime për faktin se i kemi pasur vjehrrinë gjallë dhe ata nuk na kanë lejuar asnjëherë të lëvizim edhe ata nëse e kishin kuptuar që ne kemi marrë shërbime ne automatikisht e kishim humbur të drejtën edhe për fëmijët e tanë’’, tregon Izeti-Çarkaxhiu.

Në gjendje të rëndë shëndetësore, së fundmi një 77-vjeçar është paraqitur në QKRMT. Ai frikohej që do të vdes pa u dokumentuar e vërteta, për çka Selvi Izeti- Çarkaxhiu e cila e tregon këtë rast thotë se kjo tregon që “gatishmëria për të folur për traumën nuk kërkon afat kohor”.

Puna e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale ka filluar zyrtarisht më 5 shkurt të vitit 2018.

Prej atëherë deri në mesin e muajit mars kanë aplikuar rreth 2400 persona. Nga ta, statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës u është njohur 1903 aplikuesve.

Vetëm gjatë këtij viti, komisioni ka pranuar 35 aplikacione. Marrja e statusit u siguron të mbijetuarve një pension prej 276 eurosh në muaj.

Afati për aplikim për njohjen e statusit përfundon më 15 maj të vitit 2027.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe organizatat tjera partnere kanë kërkuar disa herë që të mos afatizohet puna e këtij komisioni.

“Ideja e institucioneve ka qenë pikërisht kjo që të caktohet një afat kohor që i mobilizon të mbijetuarit për të aplikuar për njohjen e statusit, por nga përvoja klinike ne e dimë që trauma nuk kërkon mobilizim, trauma kërkon gatishmëri edhe kjo është tejet personale”, thotë Selvi Izeti- Çarkaxhiu nga QKRMT.

Për më tepër, QKRMT dhe organizatat e platformës “Bëhu zëri im,” vazhdimisht kanë avokuar që të mos ketë afat për njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës. Si rezultat i këtij avokimi, në maj 2023, Qeveria e Republikës së Kosovës e kishte shtyrë afatin për aplikim për njohje të statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës në 2+2 vjet. Dhe herën e fundit, në prill të vitit 2025, ky afat është shtyrë për dy vjet të tjera. Megjithëkëtë, QKRMT vazhdon të avokojë për heqjen e afatit kohor, i cili i kufizon të mbijetuarit që të aplikojnë për njohjen e statusit dhe të drejtave të tyre.

Edhe Institucioni i Avokatit të Popullit në raportin e tetorit të vitit 2024 kishte konstatuar se duhet të shqyrtohet mundësia e lënies në afat të pakufizuar kohor procesin e aplikimit dhe realizimit të të drejtave që rrjedhin nga njohja e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Avokati i Popullit, përmes këtij raporti, pati rekomanduar Qeverinë e Republikës së Kosovës që të plotësojë/ndryshojë Rregulloren 22/2015 për përcaktimin e procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, saktësisht te pika e tretë, duke theksuar se “Afati për dorëzimin e aplikacioneve për njohjen dhe verifikimin e statusit të mos kufizohet”, thuhet në përgjigjen e Institucionit të Avokatit të Popullit.

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare së fundmi ka njoftuar se tri ligje do të procedohen për vlerësim retrospektiv (ex-post). Në mesin e tyre është edhe Ligji për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre.

Në një përgjigje të ministrisë për këtë artikull, thuhet se “do të vlerësojnë nëse ekzistojnë nevoja për plotësim-ndryshime të mëtejshme ligjore”.

“Në kuadër të këtij procesi do të analizohet zbatimi i dispozitave ligjore në fuqi, përfshirë edhe ato që lidhen me procedurat për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Bazuar në gjetjet e këtij procesi, institucionet përkatëse do të vlerësojnë nëse ekziston nevoja për ndryshime apo plotësime të mëtejshme ligjore”, thuhet në këtë përgjigje.

Numri i personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20 mijë gra e burra.

Viti 2025 shënoi një kthesë të rëndësishme për të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë. Ramadan Nishori nga Drenasi, është burri i parë që foli publikisht për dhunimin seksual.

Për herë të parë publikisht për tmerrin e përjetuar rrëfeu Vasfije Krasniqi në vitin 2018. Më pas, Shyrete Tahiri ka dorëzuar publikisht pranë Prokurorisë Speciale kallëzimin penal për rastin e saj.

Organizatat që ofrojnë trajtim për të mbijetuarit e dhunës seksuale bëjnë thirrje që dera të mos mbyllet për të gjithë ata që, pas një kohe, mund të bindën të aplikojnë.

Në mesin e tyre mund të jetë edhe djali i Lumes...

Ky publikim është mbështetur nga IRCT në kuadër të projektit ACT (Advocacy for Change on Time-limits)



/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026