Kosova nuk shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme nëse nuk zgjidhet presidenti deri më datën 5 mars, thotë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se procedura për zgjedhjen e presidentit konsiderohet e nisur vetëm kur në rend dite të seancës së Kuvendit vendosen së paku dy kandidatë të propozuar me nënshkrime. Sipas tij, vetëm nga ky moment fillon të rrjedhë afati 60-ditor, brenda të cilit duhet të zgjidhet presidenti. E tek, nëse brenda këtij afati nuk arrihet të votohet i pari i vendit, atëherë vendi shkon automatikisht në zgjedhje.
“Procedura e zgjedhjes do të thotë kur mandati është i rregullt, duhet të bëhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual. Në çdo situatë, kurdo qoftë që fillon nesër, pas një jave, pas një muaji, kurdo qoftë që fillon dhe nuk zgjidhet brenda afatit prej 60 ditëve, prej nisjes së procedurës, atëherë shkohet me automatizëm në zgjedhje. Procedura nis në momentin kur futen në rend dite dy kandidatë, domethënë të propozuar me nënshkrime, së paku dy kandidatë, konsiderohet që ka nisur procedura. Nuk ekziston detyrimi kushtetues dhe e thotë qartë në aktgjykimin e fundit për rastin e presidentit, kur ka qenë çështja e presidentit Thaçi. Në qoftë se nuk zgjidhet presidenti për 60 ditë, prej ditës kur nis procedura, siç e thashë, kurdo qoftë që nis ajo, atëherë shkohet në zgjedhje. Por nuk shkohet në zgjedhje për faktin që nuk është zgjedhur 30 ditë para skadimit të mandatit”, thotë Hasani.
Ai deklaron se në rast se mandati i presidentes përfundon dhe nuk ka president të zgjedhur, detyrën e ushtruesit të detyrës së presidentit e merr kryetarja e Kuvendit, në këtë rast Albulena Haxhiu, një ditë pas skadimit të mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani.
Profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare e cilëson zgjedhjen e presidentit si çështje thellësisht politike, andaj shton se opozita ka të drejtë të vendosë të mos votojë një kandidat të partisë në pushtet pa një marrëveshje politike.
Sipas tij, zgjedhja e presidentit nga radhët e militantëve partiakë do të kishte pasoja serioze për jetën institucionale në vend.
Krahas kësaj, Hasani thotë se deputetët e opozitës nuk kanë detyrim kushtetues të marrin pjesë në votim për presidentin. Sipas tij, presidenti nuk përfaqëson pushtet në kuptimin klasik të ndarjes së pushteteve, por është organ legjitimues, balancues dhe garantues i funksionimit të institucioneve.
“Jo, sepse presidenti nuk është pushtet. Presidenti nuk është pushtet. Është organ legjitimues dhe balancues i krejt organeve të tjera. Dhe nuk është pushtet. Pushtet është legjislativi, ekzekutivi edhe gjyqësori. Aktgjykimi i rastit të Thaçit qartë e bën që deputetët nuk e kanë atë detyrim. Kjo nuk është pushtet. Kjo është, po e përsëris, organ që është legjitimues, balancues dhe garantues i funksionimit të krejt institucioneve të sistemit. Dhe opozita këtë duhet ta ketë parasysh dhe me dinjitet ta përballojë instalimin e një autokracie të personalizuar në Kosovë, e cila e vret jetën institucionale. Është e sigurt që do të vdesë jeta institucionale në Kosovë dhe hapet rruga për anarki dhe kaos si zgjidhje e fundit për ndryshim në të ardhmen. Opozita dhe askush, asnjë deputet nuk e ka detyrim as të rrijë në sallë, as të mos rrijë në sallë. Mund të rrijë në sallë, të marrë fletën e votimit, vetëm me rëndësi të mos e dorëzojë në kuti”, shton Hasani.
“Logjika thotë të mos jemi optimistë për shkak se, derisa është lënë për ditën e fundit dhe çdo gjë ka qenë dhe vazhdon të jetë krejt okulte, jo transparente, atëherë pak pres. Pak ka gjasa që nesër të ndodhë zgjedhja e presidentit. Unë më shumë e shoh si një manovër të Kurtit për zhvendosje të fajësisë, në skenar të njëjtë siç ka vepruar vitin e kaluar për ta kapur postin e presidentit”, thekson ai. /E.Zeqiri/