Ceremonitë shumëditore mortore për udhëheqësin e ndjerë suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, kanë nisur, por ende nuk ka pasur asnjë paraqitje publike të djalit të tij, Mojtaba Khamenei, i cili e pasoi në këtë post.
Qytetarë të shumtë u mblodhën në kompleksin e madh të lutjeve Grand Mosalla në Teheran që nga orët e para të 4 korrikut, ndërsa autoritetet thanë se presin deri në 20 milionë pjesëmarrës gjatë ceremonive gjashtëditore.
Mediat iraniane raportuan se pjesëmarrësit brohorisnin "hakmarrje", ndërsa mblidheshin për t'i bërë nderimet e fundit Khameneit, i cili u vra ditën e parë të luftës mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, më 28 shkurt.
Gjatë më shumë se 36 vjetëve në pushtet, Khamenei zakonisht udhëhiqte faljet mortore për figurat më të larta ushtarake dhe fetare që ndërronin jetë, por ende nuk është e qartë se kush do ta udhëheqë faljen për të më 5 korrik.
Mojtaba Khamenei, udhëheqësi i tretë suprem i Republikës Islamike, nuk është parë në publik që kur u plagos në të njëjtin sulm ku u vranë babai dhe bashkëshortja e tij.
Analistët janë të ndarë si për gjasat që kjo të ndodhë, ashtu edhe për domethënien që do të kishte një paraqitje e tillë. Ata luhaten mes logjikës rituale, e cila sugjeron se ai duhet të jetë i pranishëm, dhe shqetësimeve të sigurisë që e bëjnë situatën të pasigurt.
"Udhëheqësi i ardhshëm duhet të falet mbi trupin e udhëheqësit të mëparshëm dhe në këtë mënyrë fiton legjitimitetin formal", tha Rahmani. "Kjo është një nga arsyet kryesore pse po shtrohet çështja e pranisë së Mojtaba Khameneit."
I pyetur drejtpërdrejt nëse pret që udhëheqësi i ri suprem të marrë pjesë në ceremoni, Rahmani tha se gjasat janë në favor të kësaj, por theksoi se konsideratat e sigurisë gjatë kohës së luftës mund të mbizotërojnë mbi dëshirën e regjimit për të organizuar një funeral madhështor me praninë e Mojtaba Khameneit.
Analisti politik me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, Babak Dorbeiki, u shpreh shumë më skeptik nëse kjo pyetje mund të marrë përgjigje tani.
"Nuk e di", tha ai për Radion Farda. "Sinqerisht, para së gjithash, nuk jam as i sigurt nëse një person i tillë është ende gjallë, ose të paktën nëse është në gjendje të mirë shëndetësore."
"Nëse ai ekziston, nuk më duket aspak e pamundur apo e çuditshme që të marrë pjesë."
Megjithatë, ai paralajmëroi se prania apo mungesa e tij nuk duhet interpretuar si sinjal për procesin e trashëgimisë në pushtet, duke argumentuar se shqetësimet e sigurisë, dhe jo llogaritjet politike, do të përcaktojnë atë që do të ndodhë.