Shkurtimisht:
Reduktimi i paralajmëruar i trupave të KFOR-it në Kosovë është prezantuar si pasqyrim i një situate më të qëndrueshme të sigurisë në terren.
Prania ushtarake ndërkombëtare në Kosovë po hyn në një fazë të re, ku reduktimi paraqitet si reflektim i realitetit në terren.
Zyrtarët flasin për stabilitet dhe vendime të maturuara, të mbështetura në vlerësime të vazhdueshme të sigurisë.NATO-ja njoftoi më 12 qershor se, gjatë vitit të ardhshëm, do të bëjë një përshtatje graduale të pranisë së saj në Kosovë, duke reflektuar vlerësimin për një situatë të qëndrueshme të sigurisë në vend.
Sipas komandantit suprem të forcave aleate në Evropë, Alexus G. Grynkewich, ky zhvillim lidhet me rritjen e kapaciteteve të institucioneve vendore të sigurisë, të cilat kanë krijuar hapësirë për zvogëlimin e misionit KFOR.
Për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ky është një lajm i mirë.
Në analizën e ministrit kosovar të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tani në detyrë, shtrirja e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës ka qenë një nga faktorët kyç që, sipas tij, ka ndikuar në vlerësimin e NATO-s për situatën e sigurisë.
Gjatë dy-tre vjetëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë mbyllur shumicën e institucioneve që funksiononin brenda sistemit të Serbisë, duke zgjeruar kontrollin në të gjithë vendin.
Maqedonci e interpreton këtë zhvillim si konsolidim të kontrollit institucional.
“Kosova ka përmirësime në aspektin e sigurisë, veçanërisht pas dëbimit të grupeve terroriste dhe kriminale, të cilat kanë operuar për shumë vite në veri të vendit dhe të cilat, gjithmonë, kanë qenë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e brendshëm, por edhe më gjerë”, thotë ai për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Një nga incidentet më të rënda ndodhi në maj të vitit 2023, kur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u plagosën gjatë përleshjeve me protestues serbë, të cilët kundërshtonin vendosjen e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore.
Kjo situatë çoi në dërgimin e përforcimeve shtesë nga NATO-ja.Radio Evropa e Lirë kërkoi shpjegime nga Italia, Shtetet e Bashkuara dhe Hungaria - si tri kontribuueset më të mëdha në mision - por përgjigje mori vetëm nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara, e cila paralajmëroi se kontributi amerikan do të përshtatet në përputhje me planin e NATO-s.
“Komanda Evropiane e SHBA-së do të bëjë një përshtatje të kontributit amerikan në KFOR - në faza dhe të bazuar në vlerësim të rrezikut - në përputhje me rishikimin e udhëhequr nga Komanda Supreme e Forcave Aleate në Evropë”, tha një zyrtar i kësaj komande për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, KFOR-i mbetet një mision thellësisht shumëkombësh, ku balanca e kontributeve mes SHBA-së dhe aleatëve evropianë është thelbësore për efektivitetin e tij.
Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë rreth 590 ushtarë të dislokuar në kuadër të KFOR-it - një ulje e ndjeshme krahasuar me mbi 5.000 trupat e vendosura në vitin 1999, kur misioni u krijua pas përfundimit të luftës.
Debati për rishikimin e mundshëm të kësaj pranie nisi qysh në fillim të vitit të kaluar, kur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë një vizite në Varshavë, paralajmëroi se prania ushtarake e SHBA-së në Evropë mund të rishikohet dhe eventualisht zvogëlohet, në varësi të prioriteteve strategjike dhe kërcënimeve globale.
Për ministrin në detyrë, Maqedonci, Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës janë të mirëpërgatitura për të garantuar sigurinë dhe për të mbrojtur çdo pjesë të territorit të vendit.
Megjithatë, ai thekson se prania e amerikanëve në KFOR mbetet jetike për paqen dhe sigurinë.
Në këtë rrjedhë zhvillimesh, debati nuk mund të shihet i ndarë nga një kufizim i vjetër politik që ende përcakton rolin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri.
Ai buron nga një zotim i vitit 2013 - i formalizuar atëkohë nga kryeministri Hashim Thaçi, përmes një letre drejtuar NATO-s - sipas të cilit dislokimi i FSK-së në veri mund të bëhet vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it.Maqedonci vlerëson se ky zotim nuk është dashur të bëhet, duke argumentuar se FSK-ja - me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës - ka mandat të veprojë në të gjithë territorin e vendit. Sipas tij, kjo çështje duhet të diskutohet me NATO-n.
“Për ne është e rëndësishme që çdo pjesë e Kosovës të ketë siguri. Besoj se, jo vetëm për çështjen e veriut, por me NATO-n duhet të diskutojmë edhe për çështje të tjera që lidhen me bartjen graduale të kompetencave te Forca e Sigurisë së Kosovës në aspektin e mbrojtjes”, thotë Maqedonci.
KFOR-i nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.
“Kam besim se komanda e NATO-s në Prishtinë po e ndjek nga afër situatën, në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, dhe KFOR-i nuk ka gjasa të marrë përsipër rreziqe të panevojshme”, sipas tij.
Lute shton se, në këtë fazë, prioriteti kryesor i Kosovës duhet të jetë politik, e jo ushtarak.
“Sot në Kosovë, politika ka më shumë peshë se siguria. Gjendja e sigurisë është e mjaftueshme për të mundësuar përparim politik, prandaj pritet që, pas zgjedhjeve të fundit, parlamenti dhe qeveria të punojnë së bashku për ta çuar vendin përpara. Është koha për përparim politik”, thotë ai.
Pavarësisht se Kosova e sheh Serbinë si rrezikun kryesor për sigurinë - një perceptim i ushqyer edhe nga incidente si ai në Banjskë - Lute nuk sheh asnjë skenar të afërt për ndërhyrje ushtarake.