Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, bëri të ditur se Kosova ka dorëzuar brenda afatit zyrtar kërkesën e parë për lirimin e fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje të BE-së, duke përfshirë të gjitha reformat e përfunduara deri më 30 qershor.
Ai tha se Bashkimi Evropian do të ketë tre muaj kohë për të vlerësuar dëshmitë e dorëzuara dhe më pas do të vendosë për lirimin e fondeve.
Ai tha se mosfunksionimi i Kuvendit ka ngadalësuar reformat dhe ka rrezikuar fondet evropiane të dedikuara për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës, duke shtuar se hapat e papërfunduar do t’i procedohen legjislaturës së re sapo ajo të konstituohet.
Zulfaj tha se po mos të kishe bllokada Kosova do të printe në rajon.Dje, në cilësinë time si Koordinator Kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, dorëzova te Bashkimi Evropian, brenda afatit zyrtar, kërkesën për lirim të fondeve për reformat e arritura deri në afatin e 30 qershorit, në kuadër të Agjendës së Reformave.
Kjo është hera e parë që dorëzojmë kërkesë zyrtare për lirim të fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, për reformat e kryera, përderisa kërkesa për parafinancim ishte dorëzuar qysh në vitin 2024 dhe fondet e parafinancimit tashmë janë liruar.
Nëse kuvendi do të ishte funksional, që të gjithë hapat do të arriheshin në kohë.
Reformat janë prioritet i qeverisë. Në këtë drejtim, të gjitha ligjet që nuk kaluan në kohë do t’i përcillen legjislaturës së XI-të, sapo ajo të konstituohet.
Bashkimi Evropian ka në dispozicion tre muaj për të vlerësuar evidencën e reformave nga Kosova, dhe mbi bazën e atij vlerësimi bën edhe lirimin e fondeve.
Reformat përfshijnë ligje dhe strategji të reja që përcillen me akte nënligjore. Prandaj roli dhe përgjegjësia e Kuvendit është jetike për përfundimin e tyre në kohë.
Reformat janë kërkuese, siç është edhe vetë procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian por institucionet e Kosovës kanë vullnetin dhe kapacitetet për të kryer çdo reformë me kohë.
Falënderoj të gjitha institucionet dhe zyrtarët e përfshirë në përmbushjen e reformave për bashkëpunimin, si dhe strukturën koordinuese për procesin e integrimit evropian në Zyrën e Kryeministrit për koordinimin e procesit.
Suksesi në reforma është sukses për Kosovën.