“Po rrezikohet jeta”, Bajrami kërkon ndërhyrje urgjente të Kurtit për zjarrin në deponinë e Sferkës
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
“Po rrezikohet jeta”, Bajrami kërkon ndërhyrje urgjente të Kurtit për zjarrin në deponinë e Sferkës
Hykmete Bajrami1234567
Foto Arkiv
20/07/2026 - 22:22
Linku u kopjua

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kërkuar ndërhyrje urgjente të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për situatën e krijuar nga zjarri në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Pejës, duke paralajmëruar për pasoja të rënda mjedisore dhe shëndetësore.

Në një reagim publik, Bajrami tha se sipas informacioneve të fundit, disa protestues dhe punëtorë që po përpiqen të shuajnë zjarrin janë helmuar.

Ajo akuzoi institucionet përgjegjëse për dështim në menaxhimin e situatës, duke thënë se nuk ka pasur reagim nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Bajrami i bëri thirrje Kurtit që të sigurojë koordinim të plotë ndërinstitucional mes Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, brigadave të zjarrfikësve dhe Komunës së Pejës për mobilizimin e të gjitha kapaciteteve shtetërore në shuarjen e zjarrit.

"Ju lutem që urgjentisht të siguroni koordinim të plotë ndërinstitucional... në mënyrë që të mobilizohen të gjitha kapacitetet shtetërore për shuarjen e zjarrit dhe menaxhimin e kësaj situate emergjente", ka shkruar ajo.

Sipas saj, masat e ndërmarra deri më tani nga Komuna e Pejës dhe ndërmarrja "Ambienti" kanë rezultuar të pamjaftueshme, pasi zjarri vazhdon prej gjashtë ditësh.

Deputetja e zgjedhur i kërkoi gjithashtu kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, të aktivizojë të gjithë mekanizmat komunalë për të ndalur, siç e quajti ajo, "katastrofën ekologjike".

Bajrami bëri të ditur se më herët ka dorëzuar kallëzim penal te Kryeprokurori i Shtetit dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, duke kërkuar hetimin e neglizhencës institucionale lidhur me rastin.

"Nëse ky vend ka mbetur edhe me një prokuror që e zbaton ligjin, dikush duhet të japë përgjegjësi penale për këtë katastrofë", theksoi Bajrami.

Gjatë punës në deponinë në Sferkë të Pejës, raportohet se disa punëtorë janë helmuar dhe të njëjtit tashmë janë dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor në spital.

Sipas raportimeve, helmimi ka ndodhur pasi tash e sa kohë në këtë deponi ka djegie të mbeturinave. Kjo gjendje ka shqetësuar banorët e kësaj ane. Gjithashtu kjo gjendje në Sfërkë të Pejës ka nxitur reagimi të shumta në vend.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026