Nuk është hera e parë që një studim e lidh kafen me lumturinë, shkruan lifestyle.everyeye.it.
Megjithatë, studiuesit e Universitetit Fudan në Shangai (Kinë) kanë shkuar më tej, duke analizuar një nga mostrat më të mëdha ndonjëherë për të thelluar lidhjen mes konsumit të të ashtuquajturit “ari i zi” dhe shëndetit mendor.
Çfarë u zbulua?
U zbulua se dy ose tre filxhanë kafe në ditë mund të ndihmojnë në mbajtjen larg të depresionit. Nga filxhani i katërt tejkalohet kufiri optimal, ndërsa nga i pesti e sipër rritet rreziku për të hasur çrregullime të humorit.Nga kjo analizë doli një kurbë në formën e germës J: rreziku bie ndërsa rritet konsumi, por më pas rritet sërish pasi tejkalohen dy deri në tre filxhanë në ditë.
Kjo do të thotë se ata që pinin dy ose tre filxhanë kafe në ditë kishin një rrezik më të ulët për të zhvilluar probleme të shëndetit mendor, krahasuar me ata që pinin më shumë ose me ata që nuk pinin fare.
Dhe jo, nuk janë vërejtur dallime mes llojeve të kafesë (e bluar, instant apo pa kafeinë), pasi kurba në formë J-je ka mbetur e njëjtë. As variantet gjenetike të pjesëmarrësve, të lidhura me një metabolizëm më të shpejtë ose më të ngadaltë të kafeinës, nuk kanë ndikuar në rezultatet e vëzhguara.
Mekanizma të tillë janë sugjeruar edhe më parë për rolin mbrojtës që kjo pije mund të ketë ndaj sëmundjeve të tjera të trurit.
Në shumë raste, kafeja ka qenë në qendër të kërkimeve biomjekësore, duke u lidhur me një kontroll më të mirë të peshës trupore, me një ulje të rrezikut kardiovaskular dhe me një jetëgjatësi më të madhe, transmeton ATSh.