Në 27-vjetorin e vrasjes së veprimtarëve Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, në Mitrovicë është mbajtur akademi përkujtimore, ku u theksua roli i tyre në rezistencën kombëtare dhe sakrifica për lirinë e Kosovës.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, tha se Mitrovica dhe veriu i Kosovës historikisht kanë qenë zona të goditura nga politika shtypëse dhe kolonizuese.
“Në ditë kur po goditeshin caqet ushtarake dhe paramilitare që ishin shkaktarë për krime makabre dhe gjenocidin mbi popullin shqiptar të pafajshëm të Kosovës, cak i Sllobodan Millosheviqit ishin profesor Latif Berisha dhe Agim Hajrizi në Mitrovicë, sikurse që ishte Bajram Kelmendi në Prishtinë. Sot jemi mbledhur këtu në këtë akademi përkujtimore me respekt dhe përulësi për të kujtuar dhe nderuar jetën e dy figurave dhe kolosëve të paepur të çështjes kombëtare. Kur përmendim emrat e tyre, nuk kujtojmë vetëm me krenari kontributin e tyre ndaj atdheut, por njëkohësisht kujtojmë dy figura frymëzuese për brezat e atëhershëm dhe të tashëm, si dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare për liri dhe atdhedashuri”- tha Peci
“Shoqëria dhe të afërmit e tij e përshkruanin si një njeri të jashtëzakonshëm që nuk urrente, nuk kishte hidhërim e as zili. Gjithmonë gëzohej për suksesin e të tjerëve dhe miqve të tij. Po e ndaj një moment kur unë si fëmijë kam pasur rastin ta takoj Latif Berishën në afërsi apo para shtëpisë së tij, që ishte fqinj me gjyshin tim nga dajët. Më kujtohet figura e tij me këmishën e bardhë e zemrën bujare, teksa bisedonte me babin tim. Qasja e tij për mua ka lënë përshtypje edhe sot, e kujtoj atë takim aq të ngrohtë e aq miqësor, me mesazhin që na u drejtonte neve”- tregoi ai
Për figurën e Agim Hajrizit, Peci tha se eliminimi i tij ishte i qëllimshëm.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se vrasja e tyre ndodhi në një moment kyç historik.
“Më 24 mars 1999, në një moment vendimtar e historik për Kosovën, Mitrovica humbi dy figurat qendrore të jetës së saj publike: poetin dhe atdhetarin Latif Berisha dhe veprimtarin sindikal e atdhetarin Agim Hajrizi, bashkë me nënën e tij Nazlije dhe djalin Ilirin. Vrasja e tyre nga regjimi gjenocidal ndodhi në një kohë kur dhuna po arrinte kulmin dhe ndërhyrja e NATO-s kishte filluar ta ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve, por mbi të gjitha të ndryshonte rrjedhën e historisë. Ky është konteksti në të cilin duhet të kuptohet edhe pesha e humbjes së tyre. Mitrovica nuk ishte një qytet periferik në historinë e rezistencës së Kosovës; ishte qyteti që vazhdimisht bënte historinë, ishte qyteti i minatorëve ku kundërshtimi ndaj regjimit shtypës jugosllav u artikulua herët dhe në mënyrë të organizuar, nëpërmjet atdhetarëve si Agim Hajrizi dhe Latif Berisha, nëpërmjet veprimtarëve që u rreshtuan mbrapa presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, nëpërmjet djemve e vajzave më të mirë të këtij kombi që i dolën zot atdheut duke luftuar për çlirimin e Kosovës. E nëpërmjet minatorëve të cilët u bënë simbol, duke organizuar një ndër aktet më të qarta të refuzimit politik dhe qytetar ndaj shtypjes dhe regjimit serb. Në këtë mjedis, fjala dhe veprimi kanë funksionuar së bashku”-tha ajo
“Profesor Latif Berisha i përket një brezi që, përtej angazhimit të pandalshëm politik për lirimin e Kosovës, po ashtu e përdori letërsinë si formë të ndërgjegjësimit kombëtar. Poezia e tij nuk është shkëputur asnjëherë nga realiteti, por ishte e lidhur ngushtë me të. Vargu i tij ‘3 gota’, që sapo u lexua nga kryetari i Mitrovicës, na lexohej vazhdimisht si në shtëpi ashtu edhe në shkollë dhe portretizonte atë që kalonim ne që u rritëm në Mitrovicë, por edhe për secilin qytetar të Kosovës, anë e kënd vendit tonë, pra e hidhët dhe e ëmbël, ashtu siç është kjo botë”- tregoi presidentjs e Kosovës Vjosa Osmani
Në këtë akademi përkujtimore, vajza e profesor Latif Berishës, Fatmire Latif Berisha, nënvizoi rëndësinë e ditës dhe kontributin e figurave që po përkujtoheshin.
Ajo shtoi se dhimbja personale nuk e ndalonte përkujtimin e sakrificave të shumë familjeve të tjera.
“Sot, sikurse jam pak më shumë e shkarkuar nga ajo ndjenjë e dhimbjes, normalisht jo vetëm për këto dy familje që po përkujtohen sot, por edhe për shumë familjarë të tjerë që dhanë të dashurit e tyre për të realizuar idealin, sepse në këtë ditë u dha edhe një lajm që ne e kemi mirëpritur: se shtëpia që për 27 vite me radhë i qëndroi kohës, më në fund ka marrë drejtim dhe ajo do t’i kthehet jetës së saj. Kthimi i këtij objekti dhe restaurimi i tij në atë pjesë të qytetit të Mitrovicës është një porosi dhe është i rëndësishëm në mënyrë të veçantë”- tha ajo“Nderimi juaj nuk na nderon vetëm ne si familje; me këtë nderim ju e nderoni vetveten tuaj, sepse kur nderohet sakrifica e tyre që për asnjë moment nuk menduan për veten e tyre, por vetëm për ditën kur ju dhe familjet tuaja do të ishit të lirë, atëherë nderohet vetë dinjiteti i një populli. Ata dhanë gjithçka që sot të ecim të lirë nëpër rrugët tona, pa frikë, pa kërcënim, pa padrejtësi. E sot vijmë këtu me dhimbje, por edhe me zemër plot, sepse liria për të cilën ata ranë jeton ende me ne. Historia e familjes sonë nuk është vetëm e jona, është e të gjithë juve, dhe pesha e kësaj historie sot është më e lehtë, sepse atë peshë e mbajmë së bashku. Populli ka kaluar nëpër robëri të shumta, por një gjë nuk u robërua – ajo ishte zemra shqiptare; ajo mbeti gjithmonë e lirë, ashtu si emri i heroit tonë Ilirit. Dhe unë pyes sot: a nuk e meriton Iliri që emri i tij të jetojë në shkollën ku ai dikur ulej në bankë, që çdo fëmijë që hyn aty ta dijë që liria që gëzon sot ka një emër? Për 26 vjet nxënësit e asaj shkolle nuk e dinë që në korridoret e saj kanë ecur këmbët e një dëshmori të vogël. Historia nuk guxon të harrohet, sepse historia që harrohet përsëritet”-tha ai
Ai u ndal edhe te sakrifica e babait dhe të familjes së tij
Në përmbyllje, Hajrizi lexoi fjalën e fundit të babait të tij nga ditari i tij në vitin 1998
Zoti ju bekoftë,
Agim Hajrizi, 1998, Bruksel, Belgjikë.”- përfundoi ai