Nxënësit rom, ashkali dhe egjiptian mësojnë për identifikimin e lajmeve të rreme
Lajme
Lexohet për: 4 min.
900x600 Projekti
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kërcënimi që vjen nga lajmet e rreme është global dhe të gjithë janë të kërcënuar nga dezinformimi. Është domosdoshmëri e kohës që secili person të jetë i pajisur me njohuri mediatike.

Kështu u tha sot në Prizren, gjatë trajnimit me nxënës dhe përfaqësues të shkollave të mesme, me temën "Keqinformimi, dezinformimi dhe informimi keqdashës", në kuadër të projektit "Edukimi mediatik për mësimdhënësit dhe nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian".

Përmes këtij trajnimi nxënësit patën mundësi të zhvillojnë aktivitete të ndryshme lidhur me këtë temë, e po ashtu të tregojnë edhe situata të ndryshme të cilët janë ndikuar nga dezinformatat që kanë hasur në media. Bazuar në mënyrën se si është zhvilluar ky trajnim, nxënësit u shprehën shumë të kënaqur me mësimet që morën, përvojat që ndanë, dhe sipas tyre trajnimet e tilla janë të mirëseardhura kurdo.

Shyret Hoxhaj nga komuniteti rom, nxënëse e klasës 12-të në shkollën "Ymer Prizreni", në Prizren, ka theksuar se trajnimet e tilla janë të rëndësishme për t'u informuar në lidhje me dezinformatat.

"Ky trajnim është shumë sensibilizues për informimin ndaj dezinformatave mediatike, ku ne si komunitet kemi neglizhencë nga mediat ku nuk luajnë ndonjë rol që të na informojnë si duhet t'i kontrollojmë mediat. Këto trajnime kanë rol kyç tek ne, pasi marrim informata si duhet t'i kontrollojmë mediat...Po ashtu duhet të shpeshtohen sa më shumë këto aktivitete në rolin e mediave, jo vetëm në komunitetet, rom, ashkali dhe egjiptian por edhe në komunitetet me shumicë shqiptare por edhe ato me pakicë, turk dhe boshnjak", tha Hoxhaj.

Sead Berisha nga komuniteti rom, nxënës i klasës 11-të në shkollën "11 Marsi", në Prizren, tha se marrë parasysh që në shkolla nuk informohen për këto tema, trajnimet e tilla janë të nevojshme për të rinjtë.

"Trajnimet e tilla për dezinformata janë të rëndësishme, sidomos për moshën e adoleshencës, pasi në shkolla nuk mësohet për këto...Kemi nevojë për këso aktivitete ne të rinjtë, pasi kalojmë kohë shumë në rrjete sociale dhe jo në televizione", tha Berisha.

Zemrije Berisha nga komuniteti ashkali, nxënëse e klasës 11-të në shkollën "11 Marsi", në Prizren, potencoi se shpeshherë neglizhohen nga trajnimet e tilla si komunitete, derisa tha se është e rëndësishme të rritet numri i këtyre trajnimeve. Sipas saj, këto trajnime ndihmojnë të rinjtë që të vetëdijesohen si t'i verifikojnë lajmet e rreme.

"Këto trajnime për mua si komunitet janë shumë të rëndësishme, pasi si komunitete neglizhohemi nga këto trajnime dhe mendoj se këto duhet të mbahen më shpesh...që të kemi më shumë informacione për lajmet e rreme", tha Berisha.

Naxhije Hyseni, pedagoge pranë Qendrës së Kompentencës "11 Marsi", në Prizren, tha se këto trajnime janë gjithmonë të mirëseardhura për secilin. Derisa shtoi se është e domosdoshme të rritet numri i trajnimeve të tilla.

"Ky trajnim ishte i mirëseardhur duke u nisur nga ajo që jemi spektaror të përditshmërisë çfarë na rrethon dhe çfarë ndodh në globin tonë...Kishte pas rendësi që të ketë sa më shumë trajnime që të vetëdijesohen...për lajmet e rreme që plasohen, ndoshta çdo minutë të jetës sonë", tha Hyseni.

Ndryshe, ky projekt shtatëmujor, ku synohet ngritja e vetëdijes të komuniteteve kundër dezinformimit, si dhe fuqizimi i rolit të aktivistëve të shoqërisë civile nga komunitetet, rom, ashkali dhe egjiptian, është organizuar nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress, së bashku me organizatën joqeveritare "Young Community Leaders Center" (YCLC).

Projekti  Edukimi mediatik kundër dezinformimit për mësimdhënësit, nxënësit dhe aktivistët e shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024