Avokati i popullit në Maqedoni lobon pro studentëve, kërkon test shqip në provimin e Jurisprudencës
Intervista
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Avokati i popullit në Maqedoni lobon pro studentëve, kërkon test shqip në provimin e Jurisprudencës
Studentët shqiptarë në Maqedoni të Veriut mund të dalin sërish në protestë, nëse nuk miratohet kërkesa e tyre që provimi i jurisprudencës në këtë shtet të mbahet edhe në gjuhen shqipe.
Që ky test të mbahen edhe në këtë gjuhë, po punon edhe Avokati i Popullit në fqinjin jugor të Kosovës.
Faton Selami tha se i është i është drejtuar Qeverisë në Shkup me kërkesë për harmonizimin e ligjeve që rregullojnë dhënien e provimit të jurisprudencës në mënyrë që studentëve shqiptarë t’u mundësohet t’i japin këto provime në gjuhën amtare, shqipe.
Ai ka thënë për KosovaPress se ka marrë një përgjigje që thotë se është formuar një grup pune i ekspertëve, i cili po shqyrton mundësitë juridike për përgatitjen e një propozimi për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Selami e ka pranuar se kjo çështje është me rëndësi të veçantë dhe se institucioni që ai drejton ka hapur lëndë me vetiniciativë për trajtimin e kësaj problematike.
Ai bëri të ditur se pret që në ditët në vijim, të ketë propozime konkrete nga grupi punues i ekspertëve që është angazhuar nga qeveria maqedonase.
Studentët shqiptarë kanë protestuar dy herë për këtë çështje. Ata po kërkojnë që të mos diskriminohen në procesin e dhënies së provimeve profesionale, pasi studimet i kanë ndjekur në gjuhën shqipe teksa thonë se është e drejtë e tyre që edhe provimi i jurisprudencës të bëhet në shqip, për ta.
Sipas Selamit, çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut ka qenë vazhdimisht problematike, ndërsa shton se ky vend, si shtet multilingual, është përballur shpesh me debate të tilla.
Ai ka bërë të ditur se është duke u marrë edhe me një lëndë tjetër, që ka të bëjë me emërtimet e reja në rrugët e Tetovës, të cilat kanë bërë që të hiqen emrat e mëhershëm në gjuhën shqipe. Ai tha se e ka dërguar lëndën edhe në Gjykatën Kushtetuese, por e njëjta i përket pushtetit lokal.
Ndryshimi i emrave të rrugëve në Tetovë ka nxitur tensione në këtë komunë por edhe në tjerat ku ka shumicë shqiptare në Maqedoni të Veriut.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.