Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Brahim Shatrolli, ka dhënë për Kosovapress detaje lidhur me përleshjen e ndodhur më 24 qershor në fshatin Magurë, rast për të cilin janë organizuar edhe protesta në përkrahje të veteranit dhe invalidit të luftës së UÇK-së, Bekim Meta.
Shatrolli thekosn se Policia e Kosovës ka shtuar praninë në zonën e Magurës për të parandaluar incidente të mundshme. Ndër të tjerash tha se nuk ka evidencë për konflikte të ngjashme të mëhershme mes personave të përfshirë.
Sa i përket familjes së komunitetit ashkali të përfshirë në rast, ai tha se, sipas informatave policore, ata aktualisht nuk jetojnë në Kosovë, ndërsa theksoi se Policia e Kosovës do të zbatojë çdo vendim që do të nxjerrin organet e drejtësisë dhe do të vazhdojë të garantojë sigurinë e qytetarëve.
“Të dëmtuarit e komunitetit ashkali, ata nuk jetojnë aktualisht, sipas informacioneve që i kemi, nuk jetojnë aktualisht në Kosovë. Mirëpo pas arrestit shtëpiak, mbetet vendim i gjykatës se çfarë vendime do të marrë. Pastaj, normalisht që vendimi i gjykatës do të zbatohet dhe Policia e Kosovës është këtu për me ofru siguri secilit qytetar dhe ne do të mundohemi me qenë më vigjilentë edhe më më aktivë në atë pjesë, në atë zonë. Mirëpo askush nuk mund të garantojë për dikënd se a mund të kthehet apo nuk të kthehet, nuk mund të kthehet, megjithëse sipas informacioneve që kam, ata kanë edhe pronat e tyre aty. Ajo mbetet në të ardhmen. Megjithatë, Policia e Kosovës prapë do t'i përgjigjet rasteve për të ofruar siguri, çfarëdo lloj natyre që qytetarët kanë nevojë”, tregoi Shatrolli.“Me datën 24 të muajit gjashtë, viti 2026 rreth orës 18:30, Stacioni Policor Lipjan ka pranuar një thirrje për një rrahje në progres dhe patrullat menjëherë janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes, ku në mënyrë më të shpejtë janë munduar, kanë arritur në vendin e ngjarjes në fshatin Magure. Aty kanë hasur në një grumbull të madh të njerëzve, mirëpo në momentin që kanë arritur patrullat, rrahja veç ka qenë e ndërprerë. Dhe, ndërkohë gjatë punëve operative dhe hetimore, kanë kuptuar se janë përfshirë në rrahje dy komunitete: komuniteti ashkali dhe shqiptar”, tha Shatrolli.
Ai konfirmoi se pas zhvillimit të hetimeve, 10 persona janë ndaluar dhe janë paraqitur para Gjykatës Themelore.
Pesë ditë më parë në fshatin Magure të Lipjanit një grup personash të komunitetit ashkali, kanë sulmuar Skender Shahinin para shtëpisë së tij si dhe veteranin e luftës së UÇK-së, Bekim Meta.