Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mohuar se janë diskutuar emra konkretë, duke theksuar se bisedimet kanë qenë të kufizuara vetëm në parime dhe në dy propozimet aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje.
Abdixhiku tha se vetëm pasi të ketë një marrëveshje politike për mënyrën se si duhet të duket figura e presidentit, mund të flitet për emra konkretë. Sipas tij, Kosova ka nevojë për një president që bashkon skenën politike dhe që përfaqëson vendin në arenën ndërkombëtare.
Abdixhiku bëri të ditur se LDK-ja nuk është e gatshme të mbështesë një skenar ku të gjitha pozitat kryesore shtetërore do t’i takonin një partie të vetme. Ai la të kuptohet se gjatë javës së ardhshme mund të ketë takime të reja, por nuk dha sinjale se është afër ndonjë marrëveshje.
“Kam dëgjuar shumë spekulime dje. Ato janë vetëm spekulime, nuk janë të vërteta. Ne nuk kemi folur për emra, aq më pak për emrin tim. Pra, kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam kthyer përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështesë një skenar në të cilin të tri kandidaturat, të tri pozicionet shtetërore, i takojnë një partie politike”, deklaroi ai.Ndërkohë, Abdixhiku bëri të ditur se ka nisur kontakte edhe me liderët e tjerë opozitarë. Ai konfirmoi se është takuar me Bedri Hamzën për të diskutuar pozicionin e PDK-së, ndërsa tha se Ramush Haradinaj ka refuzuar takimin.
“Po, jam takuar me zotin Hamza. Kam zhvilluar diskutime për të parë pozicionin e tyre. Zoti Haradinaj e ka pasur refuzim takimi. Me thënë të drejtën është qërim i tyre që s’duan të takohen, po mos të ankohen më pas, sepse takimi është parakusht i diskutimeve normale njerëzore”, u shpreh ai..
Ai bëri të ditur se LDK-ja nuk ka diskutuar ende për emra konkretë, madje as për kandidatë që mund të pranoheshin nga partitë e tjera. Sipas tij, problemi kryesor nuk është mungesa e emrave, por mungesa e votave të nevojshme për ta bërë një kandidat të pranueshëm.
Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat që deri më 28 prill të zgjedhin presidentin e ri të vendit.
Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit të 28 dhjetorit ka fituar mbi 51 për qind të votave, derisa LDK 13 për qind ose 15 mandate.