“Kosovari” serb Novak Gjokoviq dështon ndaj Sinner, s’e kap finalen e Wimbledon Open
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
“Kosovari” serb Novak Gjokoviq dështon ndaj Sinner, s’e kap finalen e Wimbledon Open
Britain Wimbledon Tennis
10/07/2026 - 21:04
Linku u kopjua

Tenisti serb me prejardhje nga Zveçani i Kosovës, Novak Gjokoviq, nuk do të luajë në finalen e turneut më të famshëm të këtij sporti, në botë, Wimbledon Open.

Kjo pasi ai u mposht nga aktualisht numri një i botës, Jannik Sinner, në tri seteme rezultat 6:4, 6:4, 6:4.

Italiani dha një paraqitje bindëse, duke dominuar ndeshjen nga fillimi deri në fund dhe duke i dhënë fund ëndrrës së tenistit serb, shtatë herë kampion i këtij turneu, që të fitojë  titullin e 25-të Grand Slam në karrierë.

"E dija se sot duhej ta ngrija nivelin tim dhe këtë e bëra", tha Sinner pas ndeshjes, transmeton AP, përcjellë KosovaPress.

Për 39-vjeçarin serb, humbja nënkupton edhe një mundësi të lëshuar për të shtuar rekordin e tij në Grand Slam. Megjithatë, Gjokoviq tha se nuk e ka ndërmend të largohet ende nga Wimbledoni.

"Do të doja të rikthehesha, të paktën edhe një herë", deklaroi ai. "Kur jam i shëndetshëm, ende jam në gjendje të luaj në nivelin e pesë më të mirëve në botë dhe të garoj në nivelin më të lartë."

Në finalen e së dielës, Sinner do të përballet me gjermanin Alexander Zverev, i cili siguroi biletën për ndeshjen vendimtare pasi mposhti britanikun Arthur Fery me rezultat 7:6 (7:0), 6:2, 6:4.

Për Zverevin, kjo do të jetë një tjetër mundësi për të fituar një trofe të madh, vetëm një muaj pasi triumfoi në Roland Garros, në Paris.

"Ky Grand Slam ka qenë gjithmonë ai me të cilin kam pasur më së shumti vështirësi, ndërsa tani jam në finalen e Wimbledonit. Na ka mbetur edhe një ndeshje dhe aty është i gjithë fokusi", tha tenisti gjerman.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026