Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit me liderin e Vetëvendosjes, Albin kurti tha se po përpiqen të bëjnë zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të ri në vend.
Por, sipas tij edhe ky takim ishte si gjithë të tjerët më parë që janë mbajtur deri më tani, pa asnjë propozim të emrave.
Ai bëri të ditur se do takohet edhe me krerët e PDK-së Bedri Hamzen dhe AAK Ramush Haradinaj.
“Kemi më pak se tre javë ditë kohë për të gjetur një konsensus dhe për të arritur një marrëveshje eventuale, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje. Zgjedhjet nuk i do askush, as LDK-ja. Unë do të takojë edhe liderët tjerë politikë të PDK dhe AAK për të kuptuar dhe pozicionet e tyre”, tha ai.“Çdo marrëveshje që siguron kuorumin për presidentin e ardhshëm është e mirëseardhur. Për këtë duhet pasur diskutime me të gjitha partitë. Jo nuk kemi diskutuar ende emra konkretë. Siç e dini tri pozita nuk mund t'i takojnë një partie politike”, tha ai.
Kuvendit të Kosovës i kanë mbetur edhe 22 ditë afat për zgjedhjen e presidentit të ri në vend.
Koalicioni qeverisës i drejtuar nga LVV ka 66 deputetë ose 14 më pak se numri i duhur i ligjvënësve që kërkohen për të votuar në dy rundet e para për ta zgjedhur presidentin e vendit.