NATO dënon “pakujdesinë e Rusisë” pasi droni rus goditi një ndërtesë banimi në Rumani
Dëgjoje me zë...
NATO dënon “pakujdesinë e Rusisë” pasi droni rus goditi një ndërtesë banimi në Rumani
NATO dhe zyrtarë të BE-së kanë reaguar pasi një dron rus ka goditur një bllok apartamentesh në Rumani, duke shkaktuar zjarr dhe duke plagosur dy persona.
Ngjarja ndodhi të premten në qytetin lindor Galati, pranë kufirit të Rumanisë me Ukrainën dhe Moldavinë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, reagoi duke thënë se “lufta e agresionit e Rusisë ka kaluar edhe një vijë tjetër”, ndërsa NATO dënoi “pakujdesinë e Rusisë”.
Dronët rusë kanë kaluar disa herë kufirin e Rumanisë gjatë luftës katërvjeçare në Ukrainë, por kjo është hera e parë që shtetas të një vendi të NATO-s janë lënduar. Rusia ende nuk ka komentuar mbi incidentin.
Sipas BBC, autoriteti rumun për situata emergjente tha se e gjithë koka shpërthyese e dronit ka shpërthyer dhe ka shkaktuar zjarr në katin e 10-të të ndërtesës, transmeton KosovaPress.
Dy persona morën trajtim mjekësor pasi pësuan gërvishtje, ndërsa rreth 70 banorë u evakuuan gjatë shuarjes së zjarrit.
Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë tha se dy avionë luftarakë F-16 u ngritën në ajër pasi dronët u zbuluan. Gjeneral brigade Gheorghe Maxim tha se ushtria kishte vetëm katër minuta kohë nga momenti i zbulimit të dronit deri në momentin e përplasjes.