Mes një bote në kaos dhe riorganizim, siguria është kthyer në prioritet absolut, dhe për Kosovën, ajo lidhet drejtpërdrejt me NATO-n - aleancën më të madhe ushtarake në botë.
Një momentum i ri për afrimin e saj me të është duke u konsoliduar në qendrat e vendimmarrjes në Uashington, megjithatë shfrytëzimi i tij duket se kërkon shtytje më të fortë politike edhe nga Prishtina.
“Pa një Kosovë me institucione, pa një Kosovë me politikë dhe Qeveri të qëndrueshme, do të jetë e vështirë të hapësh rrugën që duhet për anëtarësimin në NATO”, thotë Mediu për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Në fund të prillit, në Kongresin amerikan u hodh një hap konkret: përfaqësuesi Keith Self, bashkë me kolegët e tij, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, propozuan një rezolutë që synon ta shtyjë përpara rrugën e Kosovës drejt NATO-s.Aty, po ashtu, thuhet se “përfshirja e Kosovës në aleancën e NATO-s do të shërbente si një kundërpeshë e nevojshme për të dekurajuar përpjekjet armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”.
Dhe kjo nuk është nisma e vetme. Një tjetër rezolutë në Kongres, e iniciuar po në fund të prillit nga Torres, Self dhe kongresisti George Latimer, e vendos theksin te prania ushtarake e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, duke e cilësuar atë si kyç për stabilitetin në rajon.
Nga kabineti i kongresistit Torres është shprehur po ashtu mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO, por dhe për vazhdimin e pranisë së SHBA-së në misionin paqeruajtës KFOR.
Qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për mënyrën se si i interpreton ajo rezolutat e fundit në Kongresin amerikan, për komunikimet eventuale me SHBA-në apo NATO-n, si dhe për vlerësimin e pozicionit aktual të Kosovës në procesin e integrimeve euroatlantike.
Zyra e NATO-s në Bruksel tha vetëm se çdo hap i mëtejshëm për të konsoliduar marrëdhëniet e aleancës me institucionet në Kosovë, kërkon konsensus nga të gjithë aleatët.
Politika e “dyerve të hapura” e NATO-s bazohet në Nenin 10 të Traktatit të Uashingtonit, i cili përcakton se anëtarësimi është i hapur për çdo “shtet evropian që është në gjendje t’i çojë përpara parimet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut”.
Kosova e ka të deklaruar prej kohësh synimin për anëtarësim në aleancë dhe ka ndërmarrë hapa në ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë në përputhje me standardet e saj, por procesi mbetet i bllokuar në aspektin politik, pasi katër vende anëtare të NATO-s nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës, dhe çdo zgjerim i ri kërkon konsensusin e të 32 aleatëve.
Prej tyre është deklaruar vetëm Ministria e Jashtme e Sllovakisë, duke theksuar se qëndrimi i saj mbetet i bazuar në Deklaratën e Parlamentit të vitit 2007, e cila e lidh zgjidhjen e statusit të Kosovës me respektimin e kërkesave të Serbisë dhe normave të së drejtës ndërkombëtare, si dhe me rezultatin e dialogut Prishtinë-Beograd, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Vëzhguesit thonë se, pavarësisht qëndrimeve të ngurta të shteteve mosnjohëse, rezolutat në Kongresin amerikan - edhe pse joobliguese - e pengojnë Kosovën “të zhytet në harresë”.“Unë kam bindjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht nga retorika, NATO-n e shikojnë si një element jashtëzakonisht të rëndësishëm, jo vetëm për stabilitetin e Ballkanit, por edhe për një marrëdhënie dhe një influencë më të gjerë gjeopolitike. Dhe, në këtë kuadër, padyshim që është dhe interesi për Kosovën”, thotë Mediu.
Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, vlerëson se aktivizmi në Kongresin amerikan duhet kuptuar më shumë si vendosje e një agjende afatgjatë, sesa si ndikim i menjëhershëm. Ai thotë se kjo e mban Kosovën në vëmendjen politike të Uashingtonit dhe krijon hapësirë për një mundësi të ardhshme, kur kushtet në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe brenda vetë NATO-s të jenë më të favorshme.
E, Mediu argumenton se anëtarësimi në NATO nuk varet vetëm nga mbështetja amerikane, por edhe nga koordinimi politik dhe angazhimi i brendshëm i vetë Kosovës, në bashkëpunim me aleatët.
“Unë mendoj që është një nga zhvillimet më të mira që kanë ndodhur për Kosovën. Për disa arsye... sepse, po të kujtojmë historinë tonë, kështu ka filluar - me deklarata, me rezoluta në Kongresin amerikan. Në qoftë se vijmë, pastaj, në një aprovim të rezolutës në Kongres, ajo kthehet në një gjë që përcakton edhe politika të Departamentit amerikan të Shtetit apo të administratës amerikane”, thotë Mediu.
Ai shton se Shtetet e Bashkuara kanë peshë vendimtare në vendimmarrjen e NATO-s dhe se do të ishte e vështirë që disa vende anëtare t’i rezistonin presionit amerikan, nëse Uashingtoni do të këmbëngulte në anëtarësimin e Kosovës.
Shea pajtohet se mbajtja nën presion e shteteve mosnjohëse është e rëndësishme, por shton se Kosova nuk mund të mbështetet vetëm te SHBA-ja, duke theksuar nevojën për një qasje më të balancuar drejt Evropës.
“Kosova duhet të ketë një përpjekje më të balancuar lobimi dhe të lobojë po aq fort në Berlin, Paris, Londër apo Varshavë, sa edhe në Uashington. Mbështetja vetëm te Shtetet e Bashkuara mund të ketë funksionuar në të kaluarën, në vitet ‘90, por sot nuk është më një strategji efektive”, vlerëson Shea.
“Rezolutat sugjerojnë mbështetje të konsiderueshme politike për anëtarësimin e Kosovës në NATO, por ato nuk e detyrojnë administratën. Presidenti mund t’i injorojë ato. Autoriteti i tij në politikën e jashtme është praktikisht i pakufizuar”, thotë Serwer për Exposenë.
Në një kohë kur rendi botëror po rishkruhet dhe balancat e sigurisë po lëkunden, Shtetet e Bashkuara po sinjalizojnë qartë edhe riorganizim të pranisë së tyre ushtarake në Evropë - deri te tërheqja e mijëra trupave nga Gjermania.