Haxhiu premton mbështetje për zhvillimin e rinisë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Haxhiu premton mbështetje për zhvillimin e rinisë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit
albulena haxhiu foto 22 04 26
22/04/2026 - 15:54
Linku u kopjua

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë ditës së sotme vizitoi institucione dhe organizata që promovojnë zhvillimin e të rinjve e të rejave në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Fillimisht, ajo mori pjesë në një aktivitet në Kolegjin AAB, ku u prezantua një projekt i rëndësishëm për përfshirjen e vajzave në ICT.

Më pas, Haxhiu vizitën e vijoi në Shkollën Digjitale. Në këtë aktivitet ishin të pranishme edhe bashkëthemeluesja dhe CEO e institucionit, Hana Qerimi si dhe CTO dhe bashkëthemeluesi  Darsei Rizaj. Takimi në Shkollën Digjitale u mbajt me dyer të mbyllura.

Më pas, Haxhiu vizitoi OJQ ‘Bonevet’, ku nga afër u njoh me aktivitetet dhe programet që ndërlidhen me teknologjinë, shkencën dhe inovacionin si dhe me punën e të rinjve në fusha si robotika.

“Ishte kënaqësi që sot e nisa ditën në Kolegjin AAB me një projekt shumë të rëndësishëm për vajzat në ICT. Pastaj vazhduam në Shkollën Digjitale, ku mësuam më tepër për zhvillimin e aftësive në teknologji dhe në digjitalizim. E tani jemi në hapësirat e ‘Bonevet’. Ndonëse ne kemi pasur informacione se çka bën ‘Bonevet’, megjithatë, sot për së afërmi u njohëm edhe për programet mësimore që ndërlidhen me teknologji, matematikë, shkencë, art e të tjera. Pamë shumë nxënës që me një energji shumë të madhe po punojnë edhe në robotikë, që besoj që është shumë i rëndësishëm edhe ky aspekt. Ju uroj suksese në çfarëdo gare që kanë në të ardhmen. Po ashtu, për mua është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova ka kaq shumë të rinj e të reja që kanë shumë potencial e ‘Bonevet’ ua mundëson dhe inkurajon ata që ta zhvillojnë sa më shumë kreativitetin, por edhe talentin e tyre“, tha Haxhiu.

Ajo tha se do të ofrojnë mbështetje institucionale për iniciativa të tilla, duke u zotuar se do të shërbejë si urë lidhëse mes organizatave dhe institucioneve, në mënyrë që puna e tyre të lehtësohet dhe të ketë ndikim sa më të madh.

Ndërsa, drejtoresha menaxhuese e Bonevet, Flatra Thaçi, falënderoi për vizitën dhe mbështetjen institucionale.

“ Bonevet është i hapur për të gjithë komunitetin, por natyrisht për të gjithë qytetarët e këtij vendi. Ne me shumë dashni dhe pasion e interpretojmë punën, të cilën e bëjmë çdo ditë si ekip, si persona, të cilët e adhurojnë teknologjinë, adhurojnë inovacionin, por gjithmonë adhurojnë edukimin mbi të gjitha. Kështu që për ne është shumë e rëndësishme të kemi mbështetjen e institucioneve, për shkak se pa institucionet, puna jonë nuk mund të shkojë tejpërtej edhe të mbërrijmë aty ku kemi qëllimin. Kështu që jemi shumë të lumtur që tani e tutje kemi dyert e hapura për bashkëpunim, edhe ashtu si gjithmonë ‘Bonevet’ do të vazhdojë të mirëpresë, qoftë anëtarë të institucioneve, të cilët dëshirojnë të shohin punën tonë të përditshme, por do të jetë i hapur për të gjithë komunitetin. Për shkak se është shumë e rëndësishme që të gjithë të kenë një vend ku mund të vijnë të shfaqin talentin e tyre edhe pasionet e tyre”, tha Thaçi.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026