Komuna e Mitrovicës ka deklaruar se po vazhdon me intervenimet për mirëmbajtjen e Liqenit Akumulues, duke mohuar se ekziston ndonjë kontratë në vlerë prej 600 mijë eurosh vetëm për këtë hapësirë.
Në një përgjigje për KosovaPress, drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Naser Muja, ka thënë se komuna është në monitorim të vazhdueshëm të gjendjes së liqenit dhe investimeve në këtë zonë.
“Komuna e Mitrovicës, në vazhdimësi, jo vetëm për Liqenin e Mitrovicës, por për të gjitha investimet që janë në territorin e Mitrovicës, është në monitorim të vazhdueshëm për mbarëvajtjen e punimeve dhe mirëmbajtjen e tyre. Këtë gjendje aktuale e kemi trashëguar dhe nuk është aspak e lehtë për t’u menaxhuar, por jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme për mirëmbajtjen e saj”, ka thënë Muja.
“Ky pozicion për mirëmbajtjen e liqenit gjendet në Kategorinë 3, ndërsa vlera e saj për këtë pozicion është 45,000 euro”, ka deklaruar drejtori Muja.
Ai ka bërë të ditur se kontrata është duke u zbatuar dhe monitoruar nga Drejtoria për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, por ende nuk është përmbushur plotësisht.
Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se përveç mirëmbajtjes aktuale, po shqyrton edhe investime të reja për përmirësimin e infrastrukturës së liqenit.
Liqeni Akumulues në Mitrovicë vazhdimisht ka qenë në fokus të qytetarëve për shkak të gjendjes së hapësirave përreth tij, mirëmbajtjes së gjelbërimit dhe nevojës për investime shtesë.
Liqeni artificial në Mitrovicë konsiderohet të jetë një nga bukuritë kryesore të pjesës së afërt urbane të këtij qytetit.