Rritja e vazhdueshme e çmimeve në sektorin e ndërtimit po vlerësohet si shqetësim i madh për vetë industrinë, e cila po përballet me rritje të kostove dhe vështirësi në funksionim të qëndrueshëm të tregut.
Kryetari i Shoqatës së Ndërtimit në Kosovë, Valon Vataj, tha për KosovaPress, se rritja e çmimeve nuk është artificiale, por pasojë e zhvillimeve reale në treg dhe prekjes të edhe vetë sektorit të ndërtimit nga kjo situatë, njësoj si qytetarët.
Duke folur për ndikimin në treg, ai ka konfirmuar se rritja e çmimeve në ndërtimtari ka ndikuar në uljen e interesimit të qytetarëve për blerjen e banesave.
Sa i përket masave për stabilizimin e kësaj situate, Vataj ka theksuar se përkrahja institucionale është thelbësore për të lehtësuar gjendjen aktuale.Pronari i një kompanie ndërtimi në Kosovë, Tunë Gjokaj për KosovaPress thotë se çmimet e materialeve bazë si hekuri dhe betonit, kanë pësuar rritje të ndjeshme duke detyruar edhe sektorin të ngadalësojë ritmin e punës dhe të pres stabilizim.
Sipas Gjokajt, betoni si një nga materialet bazë të ndërtimit brenda pesë javëve një metër kub është rritur nga 75 euro në 150 euro.
Ndërsa, sipas agjencive të patundshmërive që ka kontaktuar KosovaPress, çmimet e banesave në Prishtinë varen kryesisht nga lokacioni, cilësia e ndërtimit, kërkesa dhe oferta në treg si dhe nga faktorë të tjerë.
Ndërsa, në zonat më të kërkuara ato shpesh tejkalojnë 2000 deri në 2500 euro për metër katror. Ndërsa, për vitin 2025, rritja mesatare vlerësohet të jetë rreth 5–7%.
Ndërkaq sipas Agjencisë së Statistikave të Kosoves, Indeksi i çmimeve të pronave të banimit u rrit 5,5% në tremujorin e katërt 2025, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024.
Nga të dhënat e ASK-së, në Regjionin e Prishtinës, çmimet e pronave të banimit janë rritur me 4,9% në tremujorin e katërt 2025 krahasuar me tremujorin e katërt 2024. Për regjionet e tjera të vendit, çmimet e pronave të banimit u rritën 4,3% në tremujorin e katërt 2025, krahasuar me tremujorin e katërt 2024.
/KosovaPress/