Qyteti i Krushevcit, në Serbinë qendrore, ka dënuar çdo formë të thirrjeve për diskriminim, përhapjes së urrejtjes dhe nxitjes së ndarjeve mes njerëzve, lidhur me posterët me përmbajtje të papërshtatshme dhe diskriminuese, të cilët një person i panjohur i ka vendosur në një hapësirë publike.
Gjatë fundjavës, në këtë qytet u shfaq një poster në të cilin qytetarëve u bëhej thirrje që të mos blinin në një furrë buke, pronari i së cilës është shqiptar.
“Për shekuj me radhë kemi ndërtuar frymën e respektit të ndërsjellë, tolerancës dhe bashkëjetesës, prandaj veprime të tilla individuale nuk përfaqësojnë as Krushevcin dhe as banorët e tij”, thuhet në njoftim.
Autoritetet e qytetit u bënë thirrje organeve kompetente shtetërore që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme, në mënyrë që sa më shpejt të zbulohet autori, të përcaktohen të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe të zbardhen motivet e një veprimi të tillë.Në poster qytetarëve u bëhet thirrje që të kujtojnë Gazimestanin dhe të mos blejnë te shqiptarët, ndërsa shqiptarët quhen me emrin fyes “shiptari”.
Policia e Kosovës më 28 qershor, gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, afër Prishtinës, ndaloi 37 persona, ndërsa para gjykatës u proceduan 36 prej tyre, kryesisht nga Serbia dhe vendet e rajonit.