Rrjetat e fushave dëmtohen pak muaj pas inaugurimit, mungesë mbikëqyrjeje apo papërgjegjësi e komunitetit?
Fushat “FIFA Arena” në shkollat “Gjergj Fishta” dhe “Hasan Prishtina” në Prishtinë, vetëm katër muaj pas inaugurimit, kanë pësuar dëmtime.
Projekti i financuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me FIFA-n dhe Komunën e Prishtinës, ishte prezantuar si një investim i rëndësishëm për masovizimin e futbollit dhe krijimin e hapësirave cilësore për fëmijët dhe komunitetin.
Drejtoresha e shkollës “Gjergj Fishta”, Supije Zhitia, tha për KosovaPress, se hapësira është lënë e lirë për përdorim më të lehtë dhe pa rrezik për nxënësit, por theksoi se mirëmbajtja ditore bëhet nga stafi teknik, ndërsa riparimet i adresohen komunës.
Ndërkohë arsimtarët kanë ngritur shqetësime për mungesë mbikëqyrjeje me kamera sigurie nëpër shkolla.
Arti Islamaj, arsimtar në shkollën “Gjergj Fishta”, theksoi se nxënësit gjatë orarit mësimor nuk janë shkaktarët kryesorë të dëmtimeve, por problemet ndodhin kryesisht pas mësimit dhe në fundjavë.
“Për pjesën se kush është shkaktari sa i përket nxënësve, kur janë këtu me mua, nxënësit angazhohen për me e zhvillu planprogramin të cilin e kanë dhe nuk është që kanë kohë me u marrë me pjesën e dëmtimeve. Në momentin që bie zilja, dihet që kjo fushë është edhe për komunitetin, dhe unë vetë në vikend kur kam kaluar këndej i kam parë shumë lojtarë duke luajtur, ka pas shumë mbeturina, nuk është që e ruajnë si nxënëset e kësaj shkolle, por besoj që komuniteti është më i pakujdesshëm për mirëmbajtjen e kësaj fushe” – ka thënë Islamaj.
Kurse, Ferdane Knushaj, arsimtare e lëndës edukata fizike, në shkollën “Hasan Prishtina”, thotë se në fushën e kësaj shkolle mungojnë kamerat që do të ndikonin në ruajtjen e saj.
“Fatkeqësisht shkolla jonë ka shumë dyer të hapura, akoma nuk kemi kamera, mendoj që ky investim ka qenë pak i mangët për shkak të vendosjes së kamerave, po të kishin qenë kamerat, besoj që ishte ruajtur edhe nga shkolla, por edhe nga komuniteti, sepse ne kemi deri në orën 13:00 kemi mësim paradite dhe këtu pasdite e gjithë lagjia e shfrytëzojnë këtë fushë” – tha.
Ndërkohë, KosovaPress ka tentuar të kontaktojë drejtorin e sportit në Komunën e Prishtinës, Kushtrim Mushica, lidhur me gjendjen e fushave dhe dëmtimet e para të raportuara, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.
Zyrtarët e shkollave theksojnë se mirëmbajtja bazike bëhet në baza ditore, ndërsa investimet dhe riparimet më të mëdha mbeten përgjegjësi e Komunës së Prishtinës./KosovaPress/