Kërkohet përfshirje më e madhe e të rinjve në tregun e punës, YEEP – “dritarja” e mundësisë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Kërkohet përfshirje më e madhe e të rinjve në tregun e punës, YEEP – “dritarja” e mundësisë
SOS--
19/06/2026 - 12:28
Linku u kopjua

Mungesa e përvojës edhe praktikat e papaguara janë disa nga sfidat me të cilat të rinjtë e Kosovës përballen sot. Në këtë drejtim, për të përmirësuar punësimin e të rinjve, Organizata SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë ka prezantuar politikat rekomanduese për përmirësimin e punësimit të të rinjve në Kosovë, raporton KosovaPress.

Përmes një aktiviteti të mbajtur në Prishtinë, në kuadër të projektit “YEEP II – Fuqizimi dhe aftësimi i të rinjve përmes mundësive të reja”, u vu në pah nevoja për orientim më të mirë në karrierë, rritjen e mundësive për praktika profesionale dhe përfshirjen më të madhe të të rinjve në tregun e punës.

Drejtoresha nacionale e SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë, Nezahate R. Salihu, tha se projekti ka nisur në vitin 2020 dhe ka synuar përmirësimin e mundësive të punësimit për të rinjtë në situata të cenueshme.

Ajo theksoi se përtej statistikave, projekti ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e vetëbesimit dhe aftësive të të rinjve, duke u ofruar atyre perspektivë më të mirë për të ardhmen. Sipas saj, rekomandimet e prezantuara janë rezultat i përvojave praktike të të rinjve dhe konsultimeve me institucionet, sektorin privat dhe shoqërinë civile.

“Ngjarja e sotme është një rezultat i një pune shumëvjeçare që SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë po zhvillojnë për fuqizimin ekonomik dhe social të të rinjve. Projekti YEP ka filluar në vitin 2020 dhe është financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe nga Zyra Ndërkombëtare e SOS Fshatrave të Fëmijëve, ndërsa zbatohet nga SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë. Ky projekt është një projekt rajonal dhe ka për qëllim përmirësimin e mundësisë së punësimit dhe përfshirjes në tregun e punës të të rinjve të cilët janë të cenueshëm… Gjatë këtyre viteve kemi trajnuar qindra të rinj në shkathtësi jetësore, punësim dhe ndërmarrësi. Janë realizuar mijëra sesione mentorimi dhe këshillimi në karrierë, janë mbështetur iniciativa të reja biznesore, janë krijuar mundësi për praktikë profesionale dhe qindra të rinj sot janë aktivë në tregun e punës”, tha Salihu.

Këshilltarja politike në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arta Berisha, vlerësoi se orientimi në karrierë duhet të trajtohet si e drejtë themelore e secilit të ri.

Ndërkaq, drejtori i Departamentit për Politika Sociale në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës, Mentor Morina, tha se institucionet janë duke punuar në legjislacion të ri që synon kalimin nga mbështetja pasive financiare drejt aktivizimit të përfituesve në tregun e punës.

E, në emër të të rinjve pjesëmarrës në projekt, studentja e psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, Aulona Grashita, ngriti shqetësimet lidhur me mungesën e përvojës së punës dhe praktikat e papaguara.

Ndryshe, në këtë aktivitet u theksua se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, organizatave joqeveritare, sektorit privat dhe vetë të rinjve mbetet kyç për krijimin e politikave efektive që lehtësojnë kalimin nga arsimi në punësim dhe rrisin mundësitë për integrimin e të rinjve në tregun e punës.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026