Sesioni i Etnologjisë ka trajtuar sot temën “Antropologjia e ushqimit në kontekstin shqiptar: vazhdimësi dhe ndryshim”, në kuadër të edicionit të 17-të të konferencës shkencore “Java e Albanologjisë” në Institutin Albanologjik.
Në këtë aktivitet morën pjesë antropologë, studiues të fushës, historian e të tjerë. Njëri nga antropologët e pranishëm, Arsim Canolli tha se kuzhina shqiptare ka filluar të diversifikohet para 8000 vite dhe se nga atëherë, e njëjta është internacionalizuar.
Antropologu thekson se ideja e ushqimit të katundit tashmë ka dalë në sipërfaqe në sferën publike gastronomike.
“Por në Kosovë, ideja e ushqimit të katundit, hajeve të vjetra, ushqimit të shtëpisë ka dalë në sipërfaqe në sferën publike gastronomike. Dhe këtu kemi koncepte tona të cilat padyshim mund të shqyrtohen, disa prej tyre dhe i kemi shqyrtuar në botimet tona për ritradicionalizimin, riprezantimin, rishpikjen, konstruktimin e asaj që konsiderohet si kuzhinë tradicionale në gastronomizimin lokal, e kështu me radhë. Këtu kanë ndikuar edhe migrantët që janë kthyer, shefat që janë kthyer, diaspora, turizmi e të tjera”, shtoi ai.“Ajo që duhet me theksuar, dhe që vërehet si ngashnjim teorik për me parë çka është duke ndodhur, është edhe heritigization apo trashëgimizimi, tendenca për me vendosur si trashëgimi kulturore, me i vendosur këto praktika të tilla. Dhe rasti me flinë është, është rasti më sui generis, sepse prej vitit 2017, flia është në atë listën përfaqësuese të trashëgimisë shpirtërore të Republikës së Kosovës. Ndonëse, këtu është një kritikë e vogël për shtetin, sepse nëse e sheh atë fajllin që e krijon shteti për ta është një faqe e gjysmë, përderisa për flinë mund të shkruhet e mund të flitet, e ka mjaftueshëm eh evidenca etnografike shumë më shumë”, u shpreh Canolli.
Sot është përmbyllur konferenca shkencore “Java e Albanologjisë”, e cila ka nisur më 18 maj dhe zgjati deri më 22 maj.