Teksa lufta e Rusisë kundër Ukrainës riformëson peizazhin e sigurisë së Evropës, Estonia mbetet një nga shtetet që po shikon më me kujdes lëvizjet e radhës të Kremlinit. Nga stërvitjet e para të paparalajmëruara të Rusisë në liqenin Peipus në kufi me Estoninë, deri te nisma e Talinit për një ndalim në mbarë Bashkimin Evropian për hyrje në Zonën Schengen për ish-luftëtarët rusë, Estonia argumenton se Evropa duhet të përgatitet jo vetëm për kërcënimet ushtarake, por edhe për luftë hibride, operacione të ndikimit nga jashtë dhe rreziqe afatgjata të sigurisë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në Uashington, zëvendëssekretari për Sigurinë e Brendshme i Estonisë, Joosep Kaasik, flet për atë pse Talini beson se parandalimi është mbrojtja më e mirë e Evropës, sqaron arsyetimin pas ligjit estonez që ndërpreu lidhjet administrative të Kishës Ortodokse të Estonisë me Patrikanën e Moskës dhe vlerëson partneritetet në rritje të Rusisë me vende si Irani, transmeton KosovaPress.
Joosep Kaasik: Duhet ta kuptojmë se pala ruse zhvillon stërvitje vazhdimisht në anën tjetër të kufirit. Po, është e vërtetë që kjo ndodhi për herë të parë në vitet e fundit në Liqenin Peipus, por ata zhvillojnë stërvitje të ngjashme edhe në det. Prandaj, kjo është diçka që thjesht duhet ta kuptojmë si pjesë të mënyrës se si ata sillen.
REL: A sinjalizon ky incident një ndryshim më të gjerë në sjelljen ushtarake të Rusisë përgjatë kufirit lindor të NATO-s?
Joosep Kaasik: Kur shohim të gjitha ato që i ka bërë Rusia deri më tani, mendoj se ajo gjithmonë ka dërguar të njëjtin mesazh: se nuk i intereson askush. Nuk i intereson asgjë dhe do të bëjë çfarëdo që mendon se është e nevojshme – para së gjithash për të krijuar konfuzion në vendet fqinje. Siç mund ta shohim nga shumë prej veprimeve të saj, kjo është mënyra se si ajo funksionon.
REL: Çfarë e shqetëson më së shumti Estoninë sot: rreziku i një përshkallëzimi të drejtpërdrejtë ushtarak apo fushata e luftës hibride të Rusisë?
Mendoj se qasja e tyre e preferuar është të ndikojnë në politika. Ata përpiqen të shtyjnë përpara ide të caktuara në shoqëritë tona. Gjithashtu, përpiqen të ndikojnë te banorët vendas në mënyrë që ata të fillojnë të besojnë gjëra që i shërbejnë më së shumti interesave të Rusisë.
Në thelb, ata do të preferonin të ushtronin ndikim mbi vendet tona në një mënyrë më të butë, në rrethana që duken demokratike. Kjo është metoda që kemi parë të përdoret edhe në shumë vende të tjera.
REL: Estonia po udhëheq përpjekjet për të ndaluar hyrjen e ish-luftëtarëve rusë në Zonën Schengen. Pse është e nevojshme kjo gjë?
Joosep Kaasik: Jam mjaft i bindur se Evropa po e kupton këtë gjithnjë e më shumë. Natyrisht, nga pikëpamja politike, kjo është një çështje e ndërlikuar sepse Bashkimi Evropian nuk është një shtet i vetëm. Ai përbëhet nga vende me kultura të ndryshme dhe mënyra të ndryshme të të kuptuarit të këtyre çështjeve. Megjithatë, ne po e mbajmë këtë temë në agjendë dhe lajmi i mirë është se Komisioni Evropian tashmë ka ndërmarrë disa hapa drejt një qasjeje më të përgjithshme.
Joosep Kaasik: Ajo që po bëjmë tani është përdorimi i ndalimit të hyrjes si mënyrë më të shpejtë për ta kufizuar lëvizjen e tyre drejt Estonisë në të ardhmen e afërt. Mendoj po ashtu se ky është një mesazh i fortë për bashkësinë ndërkombëtare se nëse keni luftuar kundër ukrainasve në këtë luftë agresioni, nuk duhet të keni kurrë qasje në Evropë. Deri më tani, ne kemi vendosur ndalim hyrjeje për rreth 3.100 persona. Por, e kuptojmë gjithashtu se nuk mund ta bëjmë këtë të vetëm për secilin që ka luftuar në anën e Rusisë.
Ne e shohim këta si grup njerëzish shumë të rrezikshëm për të ardhmen, sepse siç e dini, shërbimet speciale ruse përdorin persona me përvojë në fushëbetejë. Ata janë një grup i lehtë për t’u rekrutuar dhe ka shumë gjasa që t’u binden udhëzimeve të shërbimeve ruse të inteligjencës dhe sigurisë. Pikërisht këtu e shohim kërcënimin më të madh – se në të ardhmen ata mund të përfshihen në lloje të ndryshme sulmesh në mbarë Evropën dhe të na shkaktojnë shumë probleme.REL: Çfarë do t’u thoshit partnerëve në BE që ende hezitojnë ta mbështesin propozimin e Estonisë?
Joosep Kaasik: Do t’u thosha se herët a vonë ky problem do të mbërrijë edhe në territorin e tyre dhe më pas mund të jetë tepër vonë. Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të parandalojmë incidente të reja. Parandalimi është gjithmonë mënyra më e lirë dhe më efektive për të shmangur problemet.
Joosep Kaasik: Argumenti i tyre është se Evropa duhet të vazhdojë të angazhohet me qytetarët rusë, në mënyrë që ata të përjetojnë demokracinë, të studiojnë jashtë vendit dhe ndoshta një ditë, t’i sjellin vlerat demokratike përsëri në Rusi.
Sigurisht, ne e kuptojmë se ka rusë që mendojnë ndryshe. Por, të paktën për sa kohë që kjo luftë vazhdon, duhet të ushtrohet presion edhe mbi shoqërinë ruse më gjerësisht.
REL: Estonia ka miratuar një ligj që i jep fund lidhjeve administrative të Kishës Ortodokse të Estonisë me Patrikanën e Moskës. Pse një gjë e tillë u konsiderua një vendim i rëndësishëm për sigurinë kombëtare?
Kur ndryshuam legjislacionin tonë, parimi kryesor ishte që asnjë bashkësi fetare që vepron në Estoni të mos ketë lidhje administrative me një fuqi terroriste, kudo në botë. Ky është një parim i përgjithshëm. Nuk ka të bëjë vetëm me Rusinë.
Pika e dytë është se patriarku i Kishës Ortodokse Ruse e ka cilësuar publikisht këtë si një luftë të shenjtë. Me fjalë të tjera, Patrikana e Moskës e ka mbështetur publikisht këtë luftë agresioni dhe këtë regjim. Kjo është diçka që duhet ta kemi parasysh kur flasim për kishat në vendet demokratike.
REL: Sa i madh është përdorimi nga Kremlini i institucioneve fetare si pjesë e strategjisë së tij më të gjerë të ndikimit dhe luftës hibride?
Joosep Kaasik: Patjetër, struktura të tilla mund të shërbejnë edhe si platforma për përhapjen e ideologjisë, por mendoj se ky nuk është thelbi i çështjes. Pika kryesore është vetë marrëdhënia administrative. Është një çështje parimore.Ky ligj nuk është hartuar posaçërisht për Rusinë. Ai bazohet në parime të përgjithshme. Sot po flasim për një kishë, por në të ardhmen mund të bëhet fjalë për çdo organizatë tjetër fetare që ka lidhje të ngjashme administrative.
Qëndrueshmëria, Irani dhe përgjigjja e Evropës
Nuk bëhet fjalë vetëm për kapacitetet ushtarake. Ka të bëjë edhe me gatishmërinë civile – se si njerëzit përballen me situata kur nuk ka energji elektrike, kur nuk ka ujë ose kur shtëpitë janë të shkatërruara.
Kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës [në vitin 2022], pritja fillestare ishte që lufta të përfundonte shumë shpejt. Falë qëndrueshmërisë së shoqërisë ukrainase, kjo nuk ndodhi. Ata ende po rezistojnë dhe kjo qëndrueshmëri është pa dyshim një nga mësimet kryesore.
Sigurisht, kapacitetet ushtarake janë po ashtu kyç dhe ne duhet të tregojmë se nuk do të hezitojmë të kundërpërgjigjemi, nëse është e nevojshme.
Joosep Kaasik: Do të thosha se shumica e vendeve në botë janë të shqetësuara për çdo partneritet që po zhvillon Rusia.
Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë kanë qenë të dobishme. Ato e kanë vështirësuar jetën në Rusi në përgjithësi – nga aspekti ekonomik, për industrinë e saj ushtarake dhe në shumë fusha të tjera. Sa më pak partneritete të ketë Rusia dhe sa më pak lidhje ekonomike të ruajë, aq më shpejt mund të fillojë të mendojë seriozisht për përfundimin e kësaj lufte.
REL: A besoni se Evropa po përshtatet mjaftueshëm shpejt me mjedisin e ri të sigurisë të krijuar nga Rusia dhe partnerët e saj?
Joosep Kaasik: Unë jam zyrtar shtetëror, jo politikan, prandaj kjo është një pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur. Natyrisht, të gjithë do të dëshironim që gjithçka të ecte më shpejt. Por, BE-ja është një bashkim shtetesh të pavarura dhe ne e kuptojmë se është gjithmonë e vështirë të arrihet një marrëveshje.Sfida jonë është se, ndonëse përpiqemi të shpjegojmë se çfarë do të thotë të jetosh pranë Rusisë, njerëzit në pjesë të Evropës që janë shumë më larg nuk e përjetojnë domosdoshmërish ose nuk e kuptojnë plotësisht këtë kërcënim. Ne e shohim atë çdo ditë. Vendet që janë gjeografikisht më larg Rusisë shpesh nuk e shohin në të njëjtën mënyrë.