32 të vdekur e mbi 700 të lënduar pas serisë së tërmeteve të fuqishme në Venezuelë
Të paktën 32 veta kanë vdekur e më shumë se 700 raportohet se janë lënduar si pasojë e disa tërmeteve të fuqishme, që goditën, njëri pas tjetrit, goditën Venezuelën të mërkurën në mbrëmje.
Dëmet tjera materiale janë të mëdha për shkak të shembjen se ndërtesave ndërsa mijëra banorë kanë dalë në natyrë të hapur.
Presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në një fjalim drejtuar kombit vonë të mërkurën. Ajo tha se tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5, që ndodhën pak pas orës 18, shkaktuan dëme në disa shtete të vendit, por nuk dha shifra për viktimat, të plagosurit apo numrin e shtëpive dhe ndërtesave të dëmtuara.
Këto ishin ndër tërmetet më të fuqishme që kanë goditur Venezuelën në më shumë se një shekull, raporton AP, transmeton KosovaPress.
Lëkundjet u ndjenë në një rajon të gjerë, duke detyruar evakuimin e ndërtesave në qytete të ndryshme, ndërsa u ndjenë deri në Amazonën braziliane, rreth 1.700 kilometra larg kryeqytetit venezuelian, Karakas.
Rodríguez tha se tërmetet dëmtuan dhe detyruan mbylljen e Aeroportit Ndërkombëtar "Simón Bolívar", pranë Karakasit. Ajo shtoi se shërbimet e metrosë dhe furnizimi me gaz natyror në kryeqytet janë ndërprerë. Presidentja në detyrë u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo dëm përmes aplikacionit të qeverisë.
Rodríguez njoftoi gjithashtu se mësimi në shkolla do të pezullohet për disa ditë. Ministria e Arsimit bëri të ditur se disa objekte shkollore do të shfrytëzohen si strehimore dhe qendra për grumbullimin e donacioneve.
"I bëjmë thirrje popullatës sonë të ruajë qetësinë", tha Rodríguez, duke u kërkuar profesionistëve të kujdesit shëndetësor të paraqiten në spitale për të ndihmuar të lënduarit. "Bëjmë thirrje për unitet".