SHBA-ja kryen valën e tretë të sulmeve, Trump: Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur “me ose pa Iranin”
Dëgjoje me zë...
SHBA-ja kryen valën e tretë të sulmeve, Trump: Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur “me ose pa Iranin”
Shtetet e Bashkuara kanë kryer për të tretën natë radhazi sulme ndaj Iranit, ndërsa dy cisterna janë vënë nën zjarr në ngushticën e Hormuzit.
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se SHBA-ja do të rikthejë bllokadën ndaj transportit detar iranian në Gjirin Persik. Sipas Komandës Qendrore amerikane, masa do të hyjë në fuqi të martën në orën 16:00 sipas kohës lindore të SHBA-së.
Trump ka deklaruar se ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur “me ose pa Iranin”, por ka bërë të ditur se SHBA-ja do të vendosë tarifa për anijet që kalojnë nëpër këtë rrugë ujore. Ai tha se do të aplikohet një tarifë prej 20 për qind “për të gjitha kostot e nevojshme” për garantimin e sigurisë së anijeve.
Ndërkohë, komanda e përbashkët ushtarake e Iranit ka deklaruar se SHBA-ja nuk ka rol në përcaktimin e së ardhmes së ngushticës së Hormuzit dhe se nuk do të lejohet të ndërhyjë.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi ka thënë se Teherani do të jetë “përgjithmonë” garantues i sigurisë së kësaj ngushtice, shkruan The Guardian, përcjell KosovaPress.
Mediat iraniane raportuan për shpërthime në qytetin portual Bandar Abbas, në ishujt Kish dhe Qeshm, si dhe në ishullin Abu Musa në Gjirin Persik, pak pasi ushtria amerikane njoftoi për rifillimin e sulmeve ndaj Iranit.