Gjykata Speciale është një institucion politik që nuk do të sjellë drejtësi dhe e vetmja gjë që do të bëjë është të forcojë nacionalistët serbë që duan ta ndryshojnë narrativen për vitet 1990-1999, thotë në një intervistë për KosovaPress, eksperti i drejtësisë tranzicionale, Aidan Hehir.
Hehir - studiues i drejtësisë tranzicionale, intervenimit humanitar dhe shtet-ndërtimit në Kosovë nga Universiteti Westminster në Angli, thekson se procesi i atij që njihet si “gjyqi i madh” në Hagë, është tejzgjatur.
Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon Thaçin dhe të tjerët me akuza për krime të pretenduara të luftës. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës.
Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale e cila u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare.
"Nuk duhet të jesh ndonjë gjeni apo teoricien konspirativ për ta kuptuar pse [u krijua kjo gjykatë]. Ajo u krijua për të pajtuar Serbinë. Për t’i thënë Serbisë: shih, po ju japim këtë. Serbia e donte qartë krijimin e kësaj gjykate. Ajo dëshiron ta ndryshojë narrativën për vitet 1990. Dëshiron të krijojë një mekanizëm të vazhdueshëm ku shqiptarë të Kosovës të gjykohen për krime kundër njerëzimit, një proces që do të zgjasë për vite e vite. Kjo i përshtatet narrativës së tyre për luftën, që thotë se kishte dy palë që u përfshinë në një luftë civile dhe që bënë gjëra të tmerrshme. Narrativa që thotë: ‘ata janë po aq të këqij sa ne’. Pra, e vetmja arsye për krijimin e gjykatës ishin interesat serbe”, thotë eksperti i drejtësisë tranzicionale.
Edhe Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj ka shprehur shqetësime rreth punës së Gjykatës Speciale. Qelaj ka ngritur dyshimet e tij nëse në Speciale po respektohen parimet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm.
Profesori Hehir thotë se pikërisht për shkak të mungesës së transparencës, në Kosovë ka mendime krejtësisht negative për këtë institucion.
Një muaj më parë Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka përfunduar çështjen e saj në rastin Thaçi dhe të tjerët. Kundër ish-eprorëve të UÇK-së kanë dëshmuar 125 dëshmitarë në sallën e gjyqit dhe janë deponuar mijëra faqe me dokumente si prova materiale.
Avokatët mbrojtës tashmë kanë njoftuar për mocionet e tyre për rrëzimin e akuzave. Ajo çka tashmë dihet është se nëse mocionet e avokatëve mbrojtës rrëzohen, ata do të thërrasin disa dëshmitarë.
https://kosovapress.com/avokati-i-hashim-thacit-e-pyes-veten-pse-eshte-akuzuar-provat-jane-te-dobeta
Gjykata Speciale deri më tash ka shqiptuar dy aktgjykime fajësie për krime të pretenduara të luftës si dhe të tjera kundër administrimit të drejtësisë.
Në një intervistë për KosovaPress, Aidan Hehir ka folur edhe për zhvillimet politike në vend, sjelljet destruktive të Serbisë, si dhe qasjen e Bashkimit Evropian. Intervistën mund ta gjeni në këtë link.