Prokuroria në Hagë përmbyll paraqitjen e provave kundër ish-krerëve të UÇK-së
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Prokuroria në Hagë përmbyll paraqitjen e provave kundër ish-krerëve të UÇK-së
004
16/04/2025 - 10:23
Linku u kopjua

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë njoftoi të mërkurën se ka përmbyllur paraqitjen e provave në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. ZPS-ja i ngarkon ish-krerët e UÇK-së me akuza për krime të pretenduara të luftës. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ai që njihet si gjyqi i madh nisi më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Në njoftimin zyrtar të mërkurën më 16 prill, ZPS-ja tha se thirri për të dhënë dëshmi drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit 125 dëshmitarë.

Shumë prej tyre dëshmuan nën masa mbrojtëse dhe pa iu bërë publik identiteti.

Seancat e Speciales janë karakterizuar me mbyllje për publikun dhe redaktime të shumta.

“ZPS-ja paraqiti rreth 3.000 prova materiale në shumë gjuhë. Dhe ZPS-ja  ka bërë deri më sot 1.430 parashtresa lidhur me këtë çështje gjyqësore”, thuhet në njoftim.

Prokuroria tha se “në këtë gjyq janë pjesëmarrës më shumë se 150 viktima”.

Në njoftimin e mbylljes së çështjes, prokurorja e specializuar Kimberli Uest tha se “gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë duartrokas kurajën e tyre, që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit”.

“Për Kosovën është thelbësore që sundimi i ligjit dhe procesi gjyqësor në sallën e gjyqit të respektohen me qëllim që të ruhet integriteti dhe paanësia e procedurave dhe të gjendet e vërteta”, tha Uest.

Prokurorisë në Hagë iu deshën dy vjet nga fillimi i procesit gjyqësor që të mbyll çështjen e saj gjyqësore.

Pas kësaj do të mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes, e caktuar për datën 23 prill.

Deri më tash dihet se mbrojtësi i viktimave do të thërras disa dëshmitarë.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Prokuroria tha se të akuzuarit kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Ndërkaq, avokatët mbrojtës hodhën poshtë të gjitha akuzat dhe argumentuan se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Avokatët e ish-eprorëve të UÇK-së janë shprehur optimistë se në fund do të ketë rezultat pozitiv.

Katër ekipet mbrojtëse do të kërkojnë rrëzimin e pjesëve të caktuara të aktakuzës, ku përfshihen pretendime për krime lufte në Kosovë.

Mbrojtja e ka konsideruar të dobët rastin e prokurorisë.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026