Spanja mposht Belgjikën dhe kalon në gjysmëfinale, e pret ndeshja me Francën
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Spanja mposht Belgjikën dhe kalon në gjysmëfinale, e pret ndeshja me Francën
Spanja1234
10/07/2026 - 23:04
Linku u kopjua

Spanja është kualifikuar në gjysmëfinale pas një ndeshjeje shumë të bukur ndaj Belgjikës, që rezistoi deri në fund, por nuk i rezistoi golit të Merinos në fund, që shënoi për 2-1 dhe tregoi edhe një herë se është njeriu i madh i minutave të fundit.

Spanja që në minutat e para merr kontrollin e lojës, por me pasime horizontale, pa arritur të krijojë menjëherë shanse të mëdha. E para mundësi vjen në të 21-ën, kur Yamal shmanget mirë dhe godet në hyrje të zonës, por një devijim minimal i mohon golin.

Nëntë minuta më vonë do të vinte edhe momenti i golit të parë të kësaj ndeshjeje. Ruiz shfaqet në momentin e duhur pas topit të kthyer nga Courtois dhe tund rrjetën për 1-0. Goli i jep vrull Spanjës dhe në të 35-ën Yamal tenton me goditje dënimi në limitet e zonës, Courtois arrin ta presë me vështirësi për shkak se lojtarët i pengonin pamjen.

Është sërish ylli i Barcelonës, që në të 40-ën bën dy driblime spektakolare dhe më pas tenton goditjen në shtyllën e parë, por topi gjen vetëm rrjetën e jashtme. Kur ndeshja dukej tërësisht në dorën e iberikëve, Belgjika arrin të shënojë.

De Ketelaere shërbehet mirë nga Castagne dhe me kokë tregohet shumë i saktë për të shënuar golin e barazimit. Në pjesën e dytë vijon e njëjta muzikë, me Spanjën që dominon dhe belgët, të cilët përpiqen të dalin shpejt me Doku ose të tentojnë topat e gjatë për Lukakun.

Në të 61-ën dhe 62-ën Yamal bëhet protagonist në dy raste, por sërish Courtois tregohet vendimtar. Me kalimin e minutave Spanja e rrit presionin me dëshirën për ta mbyllur këtë ndeshje brenda 90 minutave. Për ta arritur këtë qëllim, De La Fuente nxjerr “asin nën mëngë”, duke aktivizuar Mikel Merinon në vend të Olmos.

Në të 88-ën mesfushori përfiton nga një top i kthyer i Lammens, i cili zëvendësoi Courtois i dëmtuar, për të tundur rrjetën me një gjuajtje të fortë nga pranë portës. Në fund, Spanja vuan, por fiton dhe tashmë është fakt që do të kemi një gjysmëfinale ëndrrash Francë-Spanjë.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026