“Nuk e prisja që të zgjaste kaq shumë, veçanërisht faza para-gjyqësore. Jam i bindur se kjo po ndodh sepse është në interesin e njerëzve që paguhen për këtë proces” thotë ish- ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch teksa flet për Gjykatën Speciale në një intervistë për KosovaPress. Kritika ka për funksionimin dhe legjitimitetin e Speciales, derisa shprehet i bindur se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të dalë i pafajshëm.
“Nëse është një gjykatë serioze, ju do të shpalleni të pafajshëm, të gjithë ju, për mungesë të provave sepse në një gjykatë normale dënohen njerëzit vetëm nëse nuk ka dyshimin më të vogël”, tregon ai derisa kujton bisedën që kishte pasur me ish-presidentin lidhur me Gjykatën Speciale.
Janë bërë dy vjet prej kur ka nis ai që njihet si gjyqi i madh-rasti gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Zyrës së Prokurorit të Specializuar ju deshën dy vjet prej nisjes së gjykimit dhe gati 5 vjet prej kur ish-eprorët e UÇK-së po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, që të përmbyllë çështjen e saj.
“Jo, nuk e prisja që të merrte kaq shumë kohë. Sidomos kjo periudhë para-gjyqësore ka qenë jashtëzakonisht e gjatë. Dhe gjithashtu, unë e kam ndjekur, ka marrë shumë kohë para se të fillonin. Nuk kam qenë kurrë pro kësaj gjykate... Kam frikë që shumë nga këta prokurorë dhe gjyqtarë, ata e pëlqejnë sepse paguhen shumë, kështu që sa më shumë të zgjat, aq më shumë ata marrin. Pra, mendoj se ishte një gjë e tmerrshme, dhe mendoj se është një gjë e tmerrshme që të mbahen njerëzit në paraburgim kaq gjatë, dhe sidomos ata që erdhën vullnetarisht”, thotë ai.
Ndonëse ishte ambasador, Bosch tregon për KosovaPress se kishte shprehur hapur qëndrimin e tij kundër një gjykate speciale.
“Isha kundër gjykatës, gjithmonë kam qenë i bindur që nuk ishte e vërtetë, sepse serbët kishin bërë akuzime të tilla gjithashtu ndaj boshnjakëve, të cilat gjithashtu ishin plotësisht pa baza. Kjo është taktika e tyre, taktika e tyre për të bërë akuzime të mëdha dhe pastaj rezulton se ato nuk kishin asnjë bazë... Unë isha ambasador, dhe paguhesha nga qeveria holandeze, kështu që duhej të bëja atë që ata më thanë të bëja. Sigurisht, duhej ta bëja edhe nëse në privat mund të thosha që nuk pajtohem, prapë, duhej të thosha se duhet bërë. Problemi ishte Raporti Marty. Raporti Marty e nisi gjithçka. Raporti Marty, që mendoj se ishte një raport jashtëzakonisht i keq, që gjithashtu ia raportova Holandës që ishte një raport shumë i keq pasi e lexova, dhe ata u nervozuan shumë me mua që nuk duhet ta bëja, kush mendoj se jam unë që të kritikoj një person kaq të rëndësishëm. Sidoqoftë, ata nuk e pëlqyen që unë e thashë”, thotë Bosch.
“E mbaj mend, kam folur me Thaçin, ndoshta një vit përpara, dhe atëherë ai më pyeti, ‘çfarë mendoni për këtë gjykatë?’ dhe i thashë, dëgjo, nëse nuk është një gjykatë ‘kangur’ (jozyrtare), nëse është një gjykatë serioze, ju do të shpalleni të pafajshëm, të gjithë ju, për mungesë të provave sepse në një gjykatë normale dënohen njerëzit vetëm nëse nuk ka dyshimin më të vogël. Dyshimin më të vogël. Pastaj ata thonë se ju jeni shpallur të pafajshëm për mungesë provash. Pra, kjo nuk është e vërtetë, por nuk mund të gjykoni pa ndonjë dyshim sepse nëse i keni dëshmitarët nga Serbia, i thashë atij, nuk mund t'i besoni atyre, sepse ata kanë interes që të ju bëjnë të dukeni keq. Pra, nuk mund t'i besoni atyre. Kjo është arsyeja pse, normalisht, duhet të liroheni”, thotë Bosch.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Prokuroria tha se të akuzuarit kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Por mbrojtja nuk arriti t’i kundërshtojë në gjykatore miliona faqe me dokumente që erdhën si dëshmi me shkrim. Rasti i ZPS-së po konsiderohet i dobët.
Ish-ambasadori tregon se si pret të përfundojë ky proces.
Të turpshëm e quan edhe vendimin e Gjykatës për të mos e lejuar ish-presidentin Thaçi për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij në mars të këtij viti.
Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi u lejua ta vizitonte babain derisa ishte i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, vetëm pak ditë para se ky i fundit të ndërronte jetë.
“Ka pasur ndikim tashmë. Dua të them, ai nuk mund të shkonte as në varrimin e babait të tij, që natyrisht, ishte vërtet turp, vërtet turp, kundër të gjitha rregullave normale, dhe sidomos në një vend si i juaji, ku familja gjithmonë ka shumë rëndësi, por në vendin tuaj është akoma më e rëndësishme. Pra, t'i mohosh mundësinë për të shkuar në varrimin e babait të tij, natyrisht, është tmerruese. Pra, jetët e tyre janë ndikuar. Dhe, natyrisht, nëse pesë vjet të jetës suaj janë marrë në kohën kur ishit më në formë, kjo është, natyrisht, e tmerrshme, dhe do të vuani gjithmonë nga kjo.
Ish-ambasadori komenton edhe pozitën e institucioneve të Kosovës lidhur me Gjykatën Speciale.
Ndryshe, avokatët e ish-eprorëve të UÇK-së janë shprehur optimistë se në fund do të ketë rezultat pozitiv. Katër ekipet mbrojtëse do të kërkojnë rrëzimin e pjesëve të caktuara të aktakuzës, ku përfshihen pretendime për krime lufte në Kosovë.