Disa mes rrënojave e tjerët në Facebook, X e Whatsapp - familjet kërkojnë të zhdukurit në Venezuelë
Bota
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
Disa mes rrënojave e tjerët në Facebook, X e Whatsapp - familjet kërkojnë të zhdukurit në Venezuelë
Vneen123
26/06/2026 - 12:45
Linku u kopjua

Një baba mban për dore vajzën e tij të veshur si zanë.

Në një rast tjetër, një 24-vjeçar me uniformë piloti shikon me krenari drejt kamerës.

Pos këtyre, ka edhe një familje përqafohet në një fushë futbolli.

Këto janë disa nga fotografitë që po publikohen nga të afërmit brenda dhe jashtë Venezuelës, të cilët po kërkojnë me dëshpërim familjarët e zhdukur pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën vendin të mërkurën në mbrëmje.

Ministri i Shëndetësisë, Carlos Alvarado, njoftoi vonë të enjten se numri i viktimave kishte arritur në rreth 235, ndërsa të paktën 4.300 persona janë plagosur. Autoritetet presin që bilanci të rritet, pasi tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 shkaktuan dëme të mëdha dhe ishin ndër më të fuqishmit që kanë goditur Venezuelën në më shumë se një shekull.

Me komunikimet e ndërprera në shumë zona, rrjetet sociale dhe regjistrat online janë bërë mjet jetik për shumë venezuelianë që kërkojnë informacione dhe ndihmë, përtej statistikave të kufizuara të publikuara nga qeveria. Regjistrat e pavarur online, ku raportohen deri në 40.000 persona të zhdukur, tejkalojnë ndjeshëm shifrat zyrtare.

Ndërsa disa nxituan të kërkonin nën rrënojat e ndërtesave të shembura, të tjerë krijuan postera digjitalë në WhatsApp, Facebook dhe X me fotografitë dhe të dhënat e familjarëve të tyre.

Në kërkim të familjarëve

Mes tyre është edhe 31-vjeçarja Vanesa Marcano, e cila nga Madridi publikoi fotografi të xhaxhait dhe hallës së saj, banorë të shtetit La Guaira, në veri të Karakasit, një nga zonat më të goditura nga tërmeti.

Ajo shpreson se familjarët e saj janë thjesht të paarritshëm për shkak të dëmtimit të rrjeteve të komunikimit. Edhe vajza e xhaxhait të saj dhe nipi shtatëvjeçar, të cilët kishin ardhur për vizitë nga Shtetet e Bashkuara, rezultojnë të zhdukur.

"Është një ndjenjë pafuqie dhe pasigurie", tha Marcano në një bisedë telefonike pwr AP, tansmeton KosovaPress. "E di që duhet të qëndrosh i qetë dhe të përqendrohesh te gjërat që mund të bësh. Por është shumë e lehtë të biesh në dëshpërim."

A vehicle is crushed at a building that collapsed after earthquakes struck La Guaira, Venezuela, Thursday, June 25, 2026. (AP Photo/Javier Campos)

Jhoyser Concalves, banor i qytetit bregdetar Catia La Mar, po fliste me partneren dhe vajzën e saj vetëm pak minuta para se të fillonin lëkundjet. Kjo ishte hera e fundit që mundi tw komunikojw mw ta.

Pasi tërmeti pushoi, ai vrapoi drejt ndërtesës ku jetonin, në katin e gjashtë. Aty gjeti vetëm rrënoja dhe njerëz që përpiqeshin me dëshpërim të shpëtonin fqinjët.

Concalves publikoi në X dhe Facebook një poster me mbishkrimin "I ZHDUKUR", në përpjekje për t'i gjetur.

"Po nxjerrin njerëz të gjallë nga ndërtesa. Prandaj ende kam shpresë se edhe ato janë gjallë atje", tha ai.

Kombet e Bashkuara kërkojnë rikthimin e qasjes në rrjetet sociale

Kërkimet janë vështirësuar edhe nga kufizimet që Venezuela ka vendosur ndaj rrjeteve sociale dhe platformave të komunikimit.

Të enjten, misioni i OKB-së për të drejtat e njeriut në Venezuelë u bëri thirrje autoriteteve që të heqin kufizimet ndaj rrjeteve sociale, duke theksuar se qasja e shpejtë në informacione të besueshme mund të shpëtojë jetë.

Platforma si X dhe aplikacioni Signal u bllokuan në gusht të vitit 2024 nga presidenti i atëhershëm Nicolás Maduro, në përpjekje për të penguar komunikimin mes kundërshtarëve që refuzonin ta pranonin pretendimin e tij për fitore në zgjedhjet presidenciale. Në janar, ish-zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez mori detyrën si presidente në detyrë, pasi Shtetet e Bashkuara kapën dhe larguan Maduron nga pushteti.

Pak pas kërkesës së OKB-së të enjten, qytetarët në Venezuelë rifituan qasje në platformën X.

Kërkimet vazhdojnë edhe nga jashtë vendit

Për miliona venezuelianë që jetojnë jashtë vendit, rrjetet sociale janë bërë edhe më të rëndësishme për të mësuar fatin e familjarëve të tyre.

Rreth tetë milionë venezuelianë janë larguar nga vendi gjatë viteve të fundit.

Elibel Tovar Lanas, 38 vjeç, kishte planifikuar të udhëtonte të shtunën nga Kili, ku jeton prej 23 vitesh, për të takuar pas një dekade babanë e tij 70-vjeçar, i cili jeton në Brazil, por ndodhej për punë në La Guaira. Ai nuk ka arritur të marrë asnjë lajm prej tij.

"Ndihem i pafuqishëm, sepse nuk e di si po e përjeton këtë situatë, çfarë vendimesh po detyrohet të marrë, nëse është mirë fizikisht apo nëse është ende gjallë", tha Lanas, i cili e regjistroi babanë e tij në faqen e internetit për personat e zhdukur.

"Të jesh në Kili e bën shumë të vështirë marrjen e informacionit dhe gjithçka që shohim duket e paqartë", shtoi ai përmes WhatsApp-it.

Në Madrid, Vanesa Marcano tha se po përpiqet të ruajë qetësinë për hir të vajzës së saj njëvjeçare.

"Vazhdon të shpresosh se dikush do të organizojë një fond ose ndonjë nismë ku mund të kontribuosh", tha ajo. "Por e vërteta është se, kur je larg, mund të bësh shumë pak."

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026