“Carex”, prodhuesi më i madh në botë i prezervativëve, ka bërë të ditur, të hënën, se ka rritur çmimet deri në 30 për qind, në mënyrë që të përballojë kostot në rritje si pasojë e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, një kanal jetik për furnizimet petrokimike, raporton Associated Press, përcjellë Kosovapress.
Drejtori ekzekutiv i kësaj firme, Goh Miah Kiat, tha se kompania nuk ka shumë zgjedhje tjetër përveçse t’ua kalojë këto kosto më të larta konsumatorëve për prezervativë, lubrifikantë personalë por edhe për mbulesa për sonda dhe kateterë, pasi shpenzimet për lëndët e para, logjistikën dhe prodhimin po rriten.
Kompania më bazë në Malajzi, beson se kërkesa do të rritet të paktën 30 për qind këtë vit, pasi “njerëzit përdorin më shumë prezervativë gjatë periudhave të pasigurisë ekonomike,” tha Goh.
“Carex” po përballet me rritje të kostove për lateks nitrili, vaj silikoni dhe materiale lubrifikuese, lateks natyral dhe paketim me fletë alumini. Goh shtoi se kostot e transportit dhe vonesat nga furnitorët e kanë detyruar kompaninë të mbajë rezerva më të mëdha të materialeve kyçe.