Kosova po përballet me një vendim të rëndësishëm lidhur me përfshirjen në projektet e gazit të lëngshëm natyror amerikan. Teksa Qeveria mbetet e rezervuar, zëra të ndryshëm po kërkojnë që vendi të mos mbetet jashtë nismave rajonale. Debati ka hapur diskutime për rëndësinë strategjike të këtyre projekteve për Kosovën. Çfarë kostoje mund të ketë një “jo” ndaj SHBA-së?
Ngurrimi i vazhdueshëm i Kosovës për t’iu bashkuar projekteve të gazit amerikan, të shtyra rishtazi nga Shtetet e Bashkuara, ka ngritur shqetësime në vend për pasoja të mundshme ekonomike, energjetike dhe politike.
Nga Ambasada amerikane në Prishtinë e deri tek odat ekonomike në vend dhe opozita, thirrjet kanë qenë të vazhdueshme për përfshirjen e Kosovës në projektet e gazit të lëngshëm natyror (LNG) amerikan.
A e ka Kosova luksin të refuzojë projekte të tilla?Ai thekson për Radion Evropa e Lirë (REL) se Kosova s’e ka luksin të shënojë “autogol” në rrafshin e ekonomisë, sigurisë dhe strategjisë.
“Refuzimi jo vetëm që do ta kthente Kosovën në një ishull të izoluar energjetik në Ballkan... por, do ta bënte këtë në kohën më të keqe të mundshme, pikërisht kur tregu global energjetik po përjeton krizë strukturore furnizimi dhe rritje galopante çmimesh për shkak të konflikteve gjeopolitike”, nënvizon Shtuni.
Rreth 90 për qind të rrymës, Kosova e prodhon përmes dy termocentraleve me qymyr, Kosova A dhe Kosova B.
Shumica dërrmuese e rrymës së prodhuar në Kosovë ka burim qymyrin, ndërsa mungesa e saj mbulohet kryesisht nga importi.
Ekspertët vlerësojnë se refuzimi i projekteve të gazit amerikan veç sa do ta thellonte varësinë ndaj një sistemi të stërvjetruar për prodhimin e rrymës, si dhe ndaj importit me çmime gjithnjë e më të larta.
Por, nëse nuk bëhet pjesë e projektit, ajo do ta humbte një mundësi shumë të madhe në aspektin e zhvillimit ekonomik, mendon ai.
Ejupi thotë se investitorët e huaj, sidomos në fushën e teknologjisë, duan të investojnë në një vend ku ka energji të qëndrueshme elektrike.
Ndërkohë, Shtuni ngul këmbë se Kosova “nuk guxon” ta lërë veten jashtë një nisme të rëndësishme për rajonin.
“Nuk po flasim për infrastrukturë teknike, por për një arkitekturë të re energjetike në rajon, ku prezenca e SHBA-së, e integruar me vendet e Bashkimit Evropian, do të shërbejë si kundërpeshë strategjike ndaj Rusisë”, thekson ai.Qeveria në detyrë e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, është e rezervuar sa i përket përfshirjes së vendit në nismat e gazit amerikan.
Çfarë do të rrezikonte Kosova në lidhjet e saj me SHBA-në?
Si shembull, ai e përmend refuzimin që Qeveria e Kurtit ia kishte bërë në vitin 2021 projektit rreth 200 milionë dollarësh për ndërtimin e infrastrukturës së gazit, i financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e SHBA-së.
Ai beson se, nëse Kosova përsëri e shpërfill një projekt me rëndësi thelbësore për partneritetin e SHBA-së në Ballkan, “refuzimi nga Uashingtoni nuk do të lexohej thjesht si një rastësi, pa ndonjë të keqe”.
Në anën tjetër, Fron Nahzi, autor i librit “Grupet Etnike të Interesit dhe Politika e Jashtme e SHBA-së”, thotë për REL-in se refuzimi mund t’ia kufizojë Kosovës mundësitë për bashkëpunim ekonomik me SHBA-në në të ardhmen.
Duke vepruar kështu, Kosova madje do ta humbte shansin për ta treguar veten si partnere aktive që kontribuon në zhvillimin rajonal, sigurinë energjetike dhe kufizimin e ndikimit rus dhe kinez në Evropën Juglindore, përfundon Nahzi.
Shtuni, ndërkaq, paralajmëron se pasojat e refuzimit të projektit amerikan të gazit do të ndikonin përtej marrëdhënieve SHBA-Kosovë.
“Kyçja e Kosovës në korridoret rajonale të energjisë në vetvete ka rëndësi strategjike, pasi sjell integrimin de facto me vendet e rajonit, NATO-s, BE-së, dhe me Perëndimin. Edhe me ato që nuk e njohin, si për shembull Greqia”, shpjegon Shtuni.
Prandaj, pyet ai, a nuk është integrimi ambicia dhe synimi strategjik i Kosovës?