Dogana zbulon mall komercial dhe afro 30.000 euro të padeklaruara në Han të Elezit
Biznes
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Dogana zbulon mall komercial dhe afro 30.000 euro të padeklaruara në Han të Elezit
parett
07/07/2026 - 10:59
Linku u kopjua

Dogana e Kosovës ka zbuluar mall komercial dhe 29,900 euro para të gatshme të padeklaruara gjatë një kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Elezit.

Sipas njoftimit të Doganës, rasti ka ndodhur më 6 korrik, kur zyrtarët doganorë, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde të kontrollit, kanë përzgjedhur për kontroll një automjet me targa të Maqedonisë së Veriut që po hynte në Kosovë.

Gjatë intervistimit fillestar, drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se nuk posedonte mall apo mjete monetare për deklarim. Megjithatë, kontrolli fizik ka zbuluar mall me natyrë komerciale të padeklaruar, ndërsa te drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri janë gjetur gjithsej 29,900 euro në para të gatshme, të cilat nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore.

Dogana rikujton se, sipas Kodit Doganor dhe të Akcizave të Republikës së Kosovës, mosdeklarimi i mallrave që i nënshtrohen procedurave doganore përbën kundërvajtje. Po ashtu, çdo person që hyn ose del nga Kosova me 10,000 euro ose më shumë, ose kundërvlerën e tyre në valuta të tjera, është i obliguar t'i deklarojë ato tek autoritetet doganore.

Sipas njoftimit, në këtë rast janë sekuestruar malli i padeklaruar, mjetet monetare dhe automjeti, ndërsa ndaj palës do të zhvillohen procedurat ligjore dhe do të ndërmerren masat e parapara me legjislacionin në fuqi, përfshirë procedurat për kundërvajtje doganore.

Dogana e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e tregtisë së paligjshme, kontrabandës dhe parandalimin e pastrimit të parave, me qëllim mbrojtjen e kufijve doganorë dhe garantimin e sigurisë ekonomike të vendit.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026