​Rikthehet si kundërshtar në Bazel, Zhegrova: Bazeli më bëri lojtarin që jam sot
5-Fifth
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
​Rikthehet si kundërshtar në Bazel, Zhegrova: Bazeli më bëri lojtarin që jam sot
zhegrova-basel
16/07/2026 - 16:00
Linku u kopjua

Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, do të rikthehet të shtunën në stadiumin “St. Jakob-Park” për herë të parë si kundërshtar i Baselit, kur Juventusi do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj kampionit zviceran.

Për 27-vjeçarin, rikthimi në “Joggeli” ka një domethënie të veçantë, pasi e konsideron Baselin si një nga etapat më të rëndësishme të karrierës së tij.

“Absolutisht. Bazeli ishte një kapitull shumë i rëndësishëm në karrierën time. Kjo është arsyeja pse do të jetë diçka e veçantë të luaj përsëri në St. Jakob-Park. Kam shumë kujtime të bukura me klubin, qytetin dhe tifozët. Sigurisht që do të jetë mirë të shoh përsëri fytyra të njohura”, ka deklaruar Zhegrova për faqen zyrtare të klubit zviceran.

Pas aventurës së suksesshme te Baseli, Zhegrova vazhdoi karrierën te Lille në Francë, ku realizoi 26 gola dhe kontribuoi me 18 asistime në 107 paraqitje zyrtare, ndërsa verën e kaluar u transferua te Juventusi.

Mesfushori ofensiv kujton se pikërisht në Bazel hodhi themelet e zhvillimit të tij si futbollist dhe si person.

“Mendoj kryesisht për një kohë kur pata mundësi të zhvilloja më tej si lojtar dhe si person. Mësova shumë këtu dhe bëra hapa të rëndësishëm. Atmosfera në stadium ishte gjithmonë e veçantë dhe tifozët më mbështetën që nga fillimi. Këto përvoja më kanë bërë lojtarin që jam sot”, u shpreh ai.

Zhegrova zbuloi se vazhdon ta ndjekë nga afër ish-klubin e tij dhe është i lumtur që Baseli është rikthyer te trofetë.

“Kur një klub ka qenë kaq i rëndësishëm për karrierën tënde, natyrshëm e ndjek atë që ndodh atje. Jam i kënaqur që Bazeli ka fituar përsëri tituj. Klubi i përket majës dhe e di sa shumë do të thotë kjo për tifozët”, tha ai.

Ai shtoi se ende mban kontakte me disa ish-bashkëlojtarë dhe pjesëtarë të klubit, të cilët shpreson t’i takojë gjatë vizitës në Bazel.

Duke folur për zhvillimin e tij gjatë viteve të fundit, reprezentuesi kosovar theksoi se tashmë është një futbollist më i kompletuar dhe më i pjekur.

“Besoj se sot jam një lojtar më i plotë dhe i pjekur. Me kalimin e kohës kam mësuar rëndësinë e disiplinës, qëndrueshmërisë dhe marrjes së vendimeve të duhura në momente vendimtare. Gjithashtu jam rritur si person përmes përvojave, ligave dhe sfidave të ndryshme”, deklaroi ai.

Sa i përket objektivave për sezonin e ri me Juventusin, Zhegrova theksoi se prioritet mbetet shëndeti dhe suksesi i ekipit.

“Gjëja më e rëndësishme është të qëndroj i shëndetshëm dhe të ndihmoj ekipin. Dua të përmirësohem çdo ditë dhe të kontribuoj me gola, asiste dhe punë të palodhur. Në fund të fundit, ajo që ka më shumë rëndësi është që të kemi sukses si ekip”, përfundoi Zhegrova.

Pas periudhës së suksesshme te Baseli, Edon Zhegrova vazhdoi karrierën te Lille, ku në 107 paraqitje zyrtare realizoi 26 gola dhe regjistroi 18 asistime. Verën e kaluar, reprezentuesi i Kosovës u transferua te Juventusi.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026