Rusia ka kryer një valë sulmesh me raketa balistike dhe dronë në Ukrainë, duke vrarë të paktën tetë persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, thonë zyrtarët.
Katër persona u vranë në qytetin verilindor të Kharkiv dhe një grua e moshuar vdiq në kryeqytetin Kiev. Pati dy viktima të tjera në Zaporizhzhia në jug dhe një në Sumy në verilindje, shkruan BBC, përcjell KosovaPress.
Të dielën vonë, marina e Ukrainës tha se pesë persona u vranë kur një anije mallrash civile në pronësi turke me grurë u godit nga raketat ruse në Detin e Zi. Rusia nuk ka komentuar.
Ndërkohë, Ukraina tha se kishte goditur tre tankerë ruse nafte në Detin e Zi dhe tre depo nafte në rajonin jugor të Stavropolit. Zelensky tha se ato ishin objektiva që "financojnë agresionin rus".Kreu rajonal i Kharkivit, Oleh Syniehubov, tha se një terminal postar në periferi të qytetit ishte sulmuar, ku katër burra të moshës midis 24 dhe 62 vjeç u vranë. Disa nga të plagosurit ishin në gjendje të rëndë.
Në një mesazh në Telegram, Zelensky tha se javën e kaluar Rusia kishte “përdorur rreth 1,450 dronë sulmues, më shumë se 1,640 bomba të drejtuara dhe 99 raketa të llojeve të ndryshme kundër Ukrainës”.
"Goditje të sakta në tre tankerë ruse të 'flotës në hije' u regjistruan në Detin e Zi. Falënderoj secilën prej njësive tona që po ndihmon në përhapjen e vetëdijes brenda Rusisë se kjo luftë duhet të marrë fund."
Thuhet se dy anije cisternë u dëmtuan, duke bërë që operacionet e ngarkimit të naftës të pezulloheshin. Nuk pati të lënduar ose derdhje nafte.
Guvernatori i Stavropolit tha se një sulm me dron kishte shkaktuar një zjarr në një park industrial.
Të dielën, kryebashkiaku i Kievit, Vitaliy Klitschko, tha se ndërtesat rezidenciale dhe jo-rezidenciale ishin dëmtuar, përfshirë një supermarket dhe një konvikt.
Zjarrfikësit kanë luftuar me flakët në dy depo. Ministria e Emergjencave e Ukrainës tha se një qendër logjistike në lagjen Bucha pranë Kievit ishte goditur, me dy persona të plagosur.