​Kane për Haalandin: Lojtar krejtësisht i ndryshëm nga unë
5-Fifth
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
​Kane për Haalandin: Lojtar krejtësisht i ndryshëm nga unë
kane-haaland
11/07/2026 - 10:43
Linku u kopjua

Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, e ka cilësuar Erling Haalandin si një "makinë" dhe një "bishë" në repartin ofensiv, por ka insistuar se ai dhe sulmuesi norvegjez janë lojtarë krejtësisht të ndryshëm, teksa përgatiten për përballjen në çerekfinalen e Kupës së Botës.

Haaland ka shënuar shtatë gola në katër paraqitjet e tij të para në një turne madhor, përfshirë edhe dy golat vendimtarë në eliminimin e Brazilit, duke e ndihmuar Norvegjinë të arrijë për herë të parë në histori në mesin e tetë skuadrave më të mira të botës.

Kane, ndërkohë, është vetëm një gol prapa sulmuesit të Manchester Cityt dhe tashmë ka arritur në kuotën e 14 golave në total në Kupat e Botës.

“Besoj se jemi krejtësisht lojtarë të ndryshëm. E di që të dy jemi sulmues, por luajmë pothuajse në pozicione të ndryshme. Erling është i jashtëzakonshëm. Rekordi i tij i golave, aspekti fizik ai është një makinë, një bishë. Përfundimi i aksioneve është në nivelin më të lartë dhe statistikat e tij flasin vetë”, ka thënë Kane në konferencën për media para ndeshjes.

Kane ka theksuar se stili i tij dallon nga ai i Haalandit, pasi preferon të jetë më shumë i përfshirë në lojë.

“E shoh veten si një lojtar tjetër. Edhe pse shënojmë gola të ngjashëm, më pëlqen të prek topin më shumë, të jem më i përfshirë në lojë dhe gjithashtu mund të luaj si një numër nëntë klasik. Nuk mendoj se duhet të krahasohemi. Kam shumë respekt për të si lojtar dhe si profesionist. Sigurisht, shpresoj që ai të ketë një ditë të qetë nesër, por paraqitja e tij në përgjithësi është shumë e mirë. Është një futbollist fantastik”, ka deklaruar Kane.

Pavarësisht formës së jashtëzakonshme para portës, Haaland dhe Kane mbeten pas Lionel Messit dhe Kylian Mbappesë në garën për Këpucën e Artë, pasi dy yjet kanë shënuar nga tetë gola në këtë Botëror.

Kane e fitoi çmimin e golashënuesit më të mirë në Kupën e Botës në vitin 2018, por Anglia u eliminua në gjysmëfinale nga Kroacia. Megjithatë, objektivi kryesor i tij mbetet triumfi me “Tre Luanët” dhe jo një tjetër trofe individual.

“Ka qenë një Kupë Bote e jashtëzakonshme sa i përket sulmuesve dhe golashënuesve më të mirë. Ata kanë shënuar gola dhe kanë ndikuar në ndeshje, gjë që nuk ndodh gjithmonë në turnetë e mëdhenj”, ka thënë sulmuesi i Bayern Munichut.

Kapiteni anglez ka qenë lideri i një gjenerate të futbollistëve të Anglisë që kanë qenë më afër se kurrë për t’i dhënë fund pritjes 60-vjeçare për një trofe të madh.

“Qëllimi im kryesor është të fitoj Kupën e Botës më shumë sesa një tjetër Këpucë të Artë, por e di që jam golashënues dhe numri nëntë i skuadrës. Nëse shënoj gola, kjo padyshim e ndihmon ekipin”, është shprehur Kane.

Kane ka bërë thirrje për përqendrim maksimal në ditët e fundit të turneut, pasi Anglia synon të shkruajë histori.

“Derisa ta fitojmë trofeun, gjithmonë do të ketë diskutime rreth Anglisë dhe kësaj skuadre. Por jemi në një pozitë të mirë. Jemi aty ku dëshironim të ishim gjashtë javë më parë kur u bashkuam për kampin përgatitor”, ka deklaruar ai.

“Kemi bërë shumë hapa pozitivë, kemi kaluar momente dhe ndeshje të vështira. Tani jemi në tetë ditët e fundit të këtij rrugëtimi. Do të na duhet që të gjithë të jemi në nivelin më të lartë për t’i realizuar ëndrrat tona”, ka përfunduar Kane. Nën drejtimin e Gareth Southgate, Anglia ka humbur dy finale të Kampionatit Evropian dhe është eliminuar në çerekfinale e gjysmëfinale në dy Botërorët e fundit.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026