Në Konferencën e IX Ndërqeveritare Shqipëri–BE sot pritet të zyrtarizohet mbyllja e tre kapitujve të negociatave: “Kërkimi Shkencor”, “Arsimi dhe Kultura” dhe “Marrëdhëniet me Jashtë”.
Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, vlerësoi progresin e bërë nga vendi ynë dhe theksoi se Shqipëria është në rrugën e duhur pasi do të mbyllë kapitujt e parë të negociatave,
“Sot është një “super e martë” për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po zhvillojmë katër Konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë. Katër vendet që kryesojnë procesin, Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi, po hedhin të gjitha hapa të mëdhenj përpara në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh Kos në një prononcim për mediet, transmeton atsh, përcjell KosovaPress.
Ajo tha se me Ukrainën dhe Moldavinë po hapim Kapitullin 6, i cili mbulon fusha si mbrojtja dhe siguria, ku argumentet për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian janë veçanërisht të forta.Mbyllja e Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi” vlerëson punën dhe arritjet e Shqipërisë për të forcuar ekosistemin e kërkimit shkencor dhe inovacionit për zhvillim, për të rritur më tej investimet në dije dhe zhvillim teknologjik, avancimin me zbatimin e Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3), si një udhërrëfyes i transformimit të ekonomisë shqiptare drejt Tregut Unik Europian, si dhe për të thelluar integrimin në Hapësirën Europiane të Kërkimit.
Këto janë njëherësh dëshmi për përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim, si dhe për ndërtimin e ekonomisë konkurruese, të qëndrueshme dhe të orientuar drejt së ardhmes europiane.
Konferenca e sotme Ndërqeveritare shënon mbylljen provizore të negociatave për anëtarësim të 3 kapitujve, duke çuar Shqipërinë tre hapa para drejt objektivit strategjik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.