Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin nga afër zhvillimet e fundit në Kosovë, ndërsa shprehin shqetësim për vazhdimin e bllokadës politike në vend.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se “bllokimi i vazhdueshëm politik dëmton besimin në institucionet e Kosovës”.
Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor.
Ato u shpallën pasi Kuvendi u shpërnda automatikisht këtë javë, për shkak të dështimit për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues.Legjislatura e dhjetë, e dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, zgjati më pak se tre muaj.
Ato zgjedhje u mbajtën pas një krize të zgjatur politike që nisi pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025, kur Kuvendi nuk arriti të konstituohej për muaj të tërë dhe përpjekjet për formimin e Qeverisë përfunduan pa sukses.
Më 2 maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka nisur afati për partitë politike për t’u deklaruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit, si dhe për formimin e koalicioneve, i cili do të zgjasë deri më 7 maj.
Një ditë më parë, KQZ-ja miratoi edhe planin e aktiviteteve dhe buxhetin për zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të kushtojnë 10 milionë e 887 mijë euro.
Fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë, nga 28 maji deri më 7 qershor në orën 07:00, kur hapen vendvotimet.
Regjistrimi për votim nga jashtë vendit do të bëhet nga 6 deri më 17 maj.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, mbi 2 milionë qytetarë të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, kishin të drejtë vote - një shifër që pritet të mbetet e ngjashme edhe në zgjedhjet e ardhshme.