Nga paraburgimi në Hagë, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka shprehur bindjen se aktgjykimi i 16 shtatorit do të dëshmojë, sipas tij, pastërtinë e luftës së UÇK-së. Ai foli për procesin gjyqësor, situatën politike në Kosovë, familjen dhe mesazhin që ua përcjell brezave të rinj.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kujtohet ashtu siç ishte në të vërtetë: një kryengritje popullore e lindur nga një popull i shtypur dhe një projekt sublim për lirinë e dinjitetin njerëzor. Ajo nuk ishte zgjedhje apo dëshirë e jonë për luftë, por ishte rruga e vetme e mbetur për të shpëtuar nga politika gjenocidale e Serbisë. Dua që historia ta shënojë atë si një luftë që u rreshtua përkrah vlerave më të larta të qytetërimit perëndimor dhe botës demokratike. Ajo duhet të kujtohet me krenari, sepse pa atë sakrificë kolektive, sot nuk do të kishim as lirinë dhe as Republikën e Kosovës”, tha Krasniqi.
“Opinioni ndërkombëtar, veçanërisht bota perëndimore, e njeh të vërtetën e Kosovës sepse ishte pjesë e saj dhe e shpëtimit të këtij populli, ku mbështetja e aleatëve tanë në vitin 1999 dhe njohja e shtetit tonë rrodhën pikërisht nga një kauzë e drejtë. Bota nuk mund ta harrojë atë që ka parë me sytë e vet, sakrificën e një populli për liri, andaj jam plotësisht i bindur se, kur të shpërndahet mjegulla e politikës së ditës, e vërteta e pastërt e luftës sonë çlirimtare do të mbetet e pacenuar në memorien globale.