Vrasje e rëndë në Ferizaj: Një 32-vjeçar gjendet i pajetë në banesë, ndalohet i dyshuari dhe vajza e tij
Një person është gjetur i vdekur mbrëmjen e së dielës në një banesë në Ferizaj, ndërsa Policia e Kosovës ka nisur hetimet për veprën penale "Vrasje e rëndë".
Sipas policisë, rreth orës 22:50 të 28 qershorit 2026 është pranuar informacioni se një person ishte gjetur pa shenja jete në një banesë në katin e nëntë të një objekti banesor në rrugën "Sejdi Sejdiu" në Ferizaj, transmeton KosovaPress.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet reaguese të policisë, hetuesit e stacionit, Njësia e Reagimit të Shpejtë, hetuesit rajonalë, krim-teknikët dhe prokurori i shtetit për Krime të Rënda.
Viktima është identifikuar me inicialet F.H., 32-vjeçar, ndërsa vdekja e tij është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes është konstatuar një plagë që dyshohet se është shkaktuar nga arma e zjarrit. Po ashtu, policia ka sekuestruar një pistoletë dhe një gëzhojë.
Hetimet fillestare kanë treguar se ngjarja ka ndodhur në banesën e M.B., 48-vjeçar. Në momentin e incidentit në banesë ndodheshin edhe bashkëshortja e tij dhe vajza, A.R., 24-vjeçare. Kjo e fundit ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Me vendim të prokurorit të rastit, M.B. është ndaluar për 48 orë, ndërsa edhe ndaj A.R. është lëshuar vendim për ndalim prej 48 orësh. Megjithatë, ajo vazhdon të jetë nën trajtim mjekësor në QKUK.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Sektori i Hetimeve Rajonale, në koordinim me prokurorin e shtetit, është duke zhvilluar hetime intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.