Grupe nacionaliste serbe kanë propaganduar sot se kinse një polic i Kosovës ka sulmuar një vajzë të vogël që ndodhej në duart e një personi (familjar i saj), gjatë manifestimit të “Vidovdanit” në Gazimestan. Në rrjetet sociale si “Telegram”, pretendohet se Policia e Kosovës ka arrestuar një prind me fëmijën e tij në krah. Por, krejt ndryshe ndodhi në të vërtetë.
Në videon që edhe vetë këto grupe e kanë shpërndarë, shihet zyrtari i Policisë së Kosovës teksa mundohet të qetësojë një fëmijë që po qante papushim derisa një person, po e mbante në duart e tij, transmeton KosovaPress.
“Synimi i Serbisë me veprime të tilla është të mobilizojë masën kundër shqiptarëve, që ajo të jetë e përgatitur për krime të reja kur t'i jepet mundësia, ndërsa modeli i saj propagandistik është kopje e regjimeve më gjenocidale që kanë ekzistuar dhe që vazhdojnë të ekzistojnë në botë… Videoja tregon krejtësisht të kundërtën. Aty shihet se polici i Kosovës e mbron atë, por për dezinformuesit serbë as videoja nuk është e mjaftueshme, sepse makineria e tyre e baltës i ka këto lajme dhe ngjarje të përgatitura paraprakisht, duke e ditur saktësisht edhe kohën se kur duhet t'i publikojë dhe si duhet të reagojë”, ka shkruar ai në Facebook.
Siç ka thënë ai tutje, ky lloj i luftës hibride që u bë të dielën kundër Kosovës, është ndërtuar sipas modelit dezinformues rus.
Ndryshe, gjatë pelegrinazhit të qytetarëve serbë në Graçanicë e Gazimestan për festën e “Vidovdanit”, pati këngë dhe thirrje nacionaliste kundër shtetit të Kosovës. Policia e Kosovës e cila u përkujdes për mbarëvajtjen e manifestimit, ndali vetëm personat që patën thirrje nxitëse.